Transmetuar më 22-09-2026, 10:40

TIRANË — Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka vizituar ekipin Kombëtar gjatë stërvitjes për të përcjellë mesazhin e tij për lojtarët dhe stafin teknik, ndërsa skuadra vijon përgatitjet intensive për përballjet e radhës në kuadër të UEFA Nations League. Duka vuri theksin te përkushtimi, puna në grup dhe rëndësia e nisjes së mbarë të këtij grumbullimi duke filluar nga sfida me Bjellorusinë.

Kreu i FSHF-së nëvizoi se objektivi kryesor i Shqipërisë mbetet renditja në vendin e parë të grupit, por paralajmëroi se kjo kërkon përqendrim maksimal nga çdo futbollist.

Lidhur me frymën e grupit dhe synimet e Kombëtares, Armand Duka u shpreh:

“Personalisht kam një lloj meraku apo preokupimi për këtë ndeshje, sepse në pamje të parë gjithkush mendon se ne jemi favoritët dhe ne e fitojmë grupin, por asnjëherë nuk mund të vijë vetë. Fitorja vjen vetëm nëse impenjohesh maksimalisht, ke dëshirë, angazhim dhe koncentrimin maksimal. Kështu që nga dita e parë duhet me e filluar seriozisht, me u impenjuar në stërvitje, me u impenjuar në çdo moment gjatë këtij grumbullimi. Grumbullimi është i gjatë, katër ndeshje. Objektivi ynë është i qartë, ne duam të dalim në vendin e parë, por vendi i parë nuk vjen vetë. Duam ta fillojmë mbarë me Bjellorusinë, por kush nuk do që ta fillojmë mbarë. Të gjitha skuadrat duan ta fillojnë mbarë. Të njëjtën gjë mendon edhe Bjellorusia, të njëjtën gjë mendon edhe Finlanda dhe ato mendojnë që janë favoritë dhe ne mendojmë. Favoritë bëhesh në fushë, ndeshjen e fiton në fushë me impenjim maksimal.”

Gjithashtu, Duka e vendosi theksin te tradita e Kombëtares dhe rëndësia e harmonisë midis lojtarëve me eksperiencë dhe futbollistëve të rinj që i janë bashkuar së fundmi grupit.

Në vijim të fjalës së tij përpara ekipit, Duka deklaroi:

“E vetmja forcë e jona, jo sot, në gjithë historinë dhe në ADN-në e Kombëtares shqiptare nuk kanë qenë kualitetet individuale të veçanta, nuk kanë qenë lojtarë të nivelit të lartë, por ka qenë fryma e skuadrës, duke punuar bashkë, duke qenë në një atmosferë pozitive. Energjia pozitive sjell edhe rezultat pozitiv, energjia negative nuk të çon kërkund. Nuk na ka munguar asnjëherë në gjithë historinë tonë dhe duhet ta vazhdojmë këtë traditë. Kemi lojtarë me shumë eksperiencë këtu, nuk dua t’i përmend me emra sepse ju i dini, kemi edhe të rinj. Duhet të bëjmë një ndërthurje fantastike, për të bërë vërtetë atë energjinë fantastike që i duhet futbollit.”

Në përmbyllje të mesazhit të tij, kryetari i FSHF-së i uroi lojtarëve dhe shtabit teknik ditë të mbarë stërvitore dhe sukses në përballjen e parë zyrtare, me qëllim përshkimin me optimizëm të të gjithë rrugëtimit në grup.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit