

TIRANË — Aksioni i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) që çoi në caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni, si dhe kontrollet në banesën e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, kanë nxitur reagime të ashpra nga përfaqësuesit e opozitës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e cilësoi ngjarjen si një skandal të përmasave të jashtëzakonshme që cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe dëshmon kapjen e institucioneve kyçe nga rrjetet kriminale.
Lidhur me zhvillimet e fundit, Tedi Blushi u shpreh:
“Shporrja e Edi Ramës është më shumë se kurrë emergjencë kombëtare. Shteti ka rënë! Siguria kombëtare ka rënë! SHISH dhe Policia në duart e Gysit dhe Mbrojtja në duart e Ronit është zyrtarizim i kapjes së shtetit në çdo qelizë nga mafia! Skandal i përmasave të jashtëzakonshme që kërkor reagim të fuqishëm kombëtar! Mafia ka sot shtetin e vet, por shteti duhet t’u kthehet shqiptarëve! Me çdo çmim!”
Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, theksoi se këto hetime që prekin kupolën e drejtimit të sigurisë tregues të kalbëzimit të sistemit nga brenda. Tabaku i kërkoi zyrtarisht Presidentit të Republikës të thërrasë me urgjencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa përgjegjësinë politike për përzgjedhjen e këtyre drejtuesve ia faturoi drejtpërdrejt kryeministrit. Deputetja demokrate kërkoi që drejtësia të veprojë pa pengesa e pa mbrojtje politike për të gjithë zyrtarët e përfshirë në dosjen e AKSHI-t.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






