Transmetuar më 22-09-2026, 09:16

Prifti Kristo Papa, një nga figurat e njohura të komunitetit ortodoks të Sarandës, u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare. Ai ishte ndër klerikët e parë që kontribuuan në ringritjen e jetës fetare pas komunizmit

Janinë, Greqi – Është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm, 22 shtator 2026, në spitalin e Janinës, prifti Kristo Papa, një prej figurave të njohura dhe të respektuara të komunitetit ortodoks në Sarandë dhe në zonën përreth.

Kristo Papa lindi në vitin 1938 në Aliko. Ai përfundoi Shkollën Pedagogjike të Gjirokastrës, në degën e gjuhës greke për shkollat e minoritetit, por nuk arriti ta ushtronte profesionin e mësuesit, pasi familja e tij konsiderohej e persekutuar nga regjimi komunist.

Pas rikthimit të lirisë së besimit në Shqipëri, jeta e tij mori një tjetër drejtim. Ai ishte prifti i parë i dorëzuar nga i ndjeri Kryepeshkop Anastas, si dhe prifti i parë që shërbeu për shumë vite në kishën “Shën Harallambi” në qytetin e Sarandës.

Me shërbesën dhe përkushtimin e tij, Kristo Papa u bë pjesë e ringritjes së jetës fetare ortodokse pas dekadave të komunizmit dhe një figurë e dashur për shumë besimtarë.

Homazhet dhe ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohen në vendlindjen e tij, në Aliko, të mërkurën, 23 shtator, në orën 10:00.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit