

TIRANË — Bizneset që kanë detyrime të papaguara në dogana do të përfitojnë nga një kufi maksimal për kamatvonesat, në kuadër të projektligjit të ri për ndryshimin e Kodit Doganor. Përmes kësaj pakoje ligjore, Ministria e Financave parashikon se shuma e kamatvonesës nuk do të mund të kalojë vlerën e vetë detyrimit bazë të importit apo eksportit mbi të cilin ajo llogaritet, me synim lehtësimin e pagesës së borxhit doganor. Kjo masë nuk do të ketë efekt prapaveprues dhe do të zbatohet vetëm për vendimet që do të merren pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Ndryshimet e reja synojnë gjithashtu shmangien e paqartësive dhe interpretimeve subjektive nga strukturat doganore lidhur me shkeljet administrative. Për këtë qëllim, shfuqizohen normat e dyfishta dhe rishikohen kriteret e vlerësimit, duke i ndarë qartë kundërvajtjet në shkelje me efekt financiar dhe pa efekt financiar. Sanksionet do të udhëhiqen nga parimi i proporcionalitetit dhe dekurajimit, ndërsa në raste të caktuara mund të përfshijnë edhe pezullimin apo revokimin e autorizimeve për subjektet.
Lidhur me aspektet procedurale dhe lehtësitë e tjera, projektligji riformulon rregullat e ankimit administrativ e gjyqësor, si dhe parashikon heqjen e kërkesës për garanci doganore për mallrat tregtare e jotregtare me vlerë deri në 1,000 euro ose peshë neto deri në 1,000 kilogramë. Gjithashtu, zgjerohet njohja e statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO) për subjektet e huaja mbi bazë reciprociteti, si dhe përcaktohet se kursi zyrtar i këmbimit për vlerën doganore do të fiksohet mbi bazën e publikimit të Bankës së Shqipërisë në të mërkurën e parafundit të çdo muaji.
Pakoja ligjore prej 83 nenesh synon përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit vendor me Kodin Doganor të Bashkimit Evropian, digjitalizimin e shërbimeve dhe përgatitjen e vendit për integrimin në Konventën e Transitit të Përbashkët. Nisma pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






