Transmetuar më 21-09-2026, 21:28

Florika Ngucaj ka reaguar publikisht pas qarkullimit të një videoje nga një aktivitet në Bibliotekën e Lushnjës, ku ajo dëgjohej duke recituar vargje me përmbajtje propagandistike për ish-diktatorin Enver Hoxha. Në një prononcim televiziv, Ngucaj sqaroi se pamjet janë shkëputur plotësisht nga konteksti dhe se recitimi ishte vetëm pjesë e një rrëfimi personal mbi absurditetin e regjimit komunist dhe detyrimet që u imponoheshin nxënësve të asaj kohe.

Gjatë fjalës së saj, Ngucaj sqaroi se aktiviteti po zhvillohej për promovimin e librave të babait të saj, shkrimtarit Neki Ngucaj, ku do të tregoheshin kujtime familjare mbi persekutimin politik që kishte vuajtur familja e tyre. Ajo u shpreh: "Ne jemi nga Vlora dhe ishim në Lushnjë për librat e babait. Jemi 4 motra dhe ishim shumë të lumtura për këtë. Çdonjëra nga vajzat do thoshte një kujtim të prekshëm. Kur isha në shkollën 8-vjeçare vdiq diktatori. Unë isha nxënësja më e mirë. Unë duhej ta recitoja këtë vjershë që të bëja figurë të mirë nëse jo do të persekutoheshim më keq. Ne jemi të persekutuar. Unë theksoj se duhet të tregohet video e plotë, pjesa që është hequr është absurditeti i asaj kohe."

Në lidhje me reagimet e politikanëve dhe komenteve mbi duartrokitjet në sallë, ajo theksoi se patosi gjatë recitimit ishte përdorur me ironi për të treguar se si fëmijët e familjeve të persekutuara shtireshin për t’i shpëtuar pasojave të regjimit. "Deputeti është një person publik. Patosi ishte ironik dhe i detyrohej kohës që jetova, ishte ironik, për të treguar si duhej të shtireshe. Nuk ishte një vend publik, ishin njerëz të zgjedhur, familjarë, të ftuar, unë sinqerisht nuk mendoja se do të merrej video dhe të transmetohej e bëhej virale", sqaroi ajo, duke shtuar lidhur me reagimin e publikut: "Nuk ishte për diktatorin apo për mua, por si ishin të lidhura gjërat."

E pyetur mbi historikun e familjes së saj dhe pasojat nga regjimi i kaluar, Ngucaj nënvizoi se persekutimi ka lënë gjurmë të thella te të afërmit e saj. "Po, nuk na jepej e drejta e jetës dhe studimit. Nuk mendoj se jemi të vetmit, janë gjëra që të ngelin në shpirt. Na është pushkatuar gjyshi nga diktatori dhe babai im ka qenë prezent. Kjo njollë politike na ndoqi gjithë jetën", përfundoi ajo.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit