

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet trevjeçare dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO dosjen penale ndaj Ervin Matës. Ai akuzohet si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas hetimeve të udhëhequra nga prokurori Vladimir Mara, Mata ngarkohet me akuzat për trafikim të narkotikëve në bashkëpunim dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal. Hetimet dokumentojnë se grupi që ai dyshohet se drejtonte ka trafikuar rreth 250 kilogramë kokainë nga Brazili me destinacion aeroportin e Frankfurtit në Gjermani gjatë vjeshtës së vitit 2022, ndërsa anëtarë të tjerë të këtij rrjeti janë dënuar më parë me mbi 60 vite burgim në total.
I arrestuar në muajin prill në Brazil, ku Gjykata Supreme Federale atje ka miratuar së fundmi ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, Mata ka qenë i shpallur në kërkim që nga tetori i vitit 2023. Emri i tij është i njohur për drejtësinë edhe për ngjarjen e vitit 2018 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku gjatë një përplasjeje me armë mbeti i vrarë truproja e Ervis Martinajt.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






