

Gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Miçigan, kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Rama e cilësoi aktgjykimin si një tëhuajësim të drejtësisë dhe një ngjarje me përmasa të rënda për të gjithë faktorin kombëtar.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se megjithëse vendimet e gjykatave kërkojnë respektim formal, kjo nuk do të thotë se pranohet "varrosja për së gjalli" e katër drejtuesve të UÇK-së si një fatalitet i paapelueshëm. Ai nënvizoi se populli shqiptar nuk e gjen veten te kjo analizë ligjore dhe se Shqipëria do të vazhdojë t’i qëndrojë plotësisht në krah Kosovës në çdo rrugë dhe qëndrim që do të zgjedhin institucionet e saj për ta kundërshtuar këtë vendim.
Deklarata e kreut të qeverisë shqiptare vjen pak ditë pas shpalljes së dënimeve nga Dhomat e Specializuara, ku Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite. Ndërkohë, ekipet mbrojtëse të ish-drejtuesve kanë konfirmuar se do ta ankimojnë vendimin në shkallën e dytë të gjyqësorit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






