Transmetuar më 21-09-2026, 15:16

SARANDË — Vrasja e Artan Murtajt (i njohur si “Tani i Ruzhdiut”) dhe plagosja e një këmbësori gjatë atentatit të së dielës kanë vënë në lëvizje drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.

Një ditë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar krijimin e një grupi të posaçëm me ekspertë nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe Departamenti i Sigurisë Publike, për të kryer një rivlerësim të thelluar të situatës kriminale në rrethin e Sarandës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.

Paralelisht, po kryhet një analizë e performancës për të gjithë zinxhirin drejtues dhe efektivët e Komisariatit të Policisë Sarandë, mbi bazën e së cilës do të merren masa organizative dhe strukturore.

Në njoftimin zyrtar mbi masat e ndërmarra, Policia e Shtetit bën me dije:

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Sigurisë Publike, me qëllim kryerjen e një rivlerësimi të plotë dhe të thelluar të situatës kriminale në rrethin e Sarandës, në bashkëpunim me DVP Vlorë, stafin drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe strukturat e tij hetimore. Gjithashtu, po kryhet një rivlerësim i performancës së të gjithë zinxhirit drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe i efektivëve të rolit bazë dhe të rolit të parë drejtues. Në bazë të performancës së tyre, do të ndërmerren veprimet e duhura. Paralelisht, po punohet për krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe për garantimin e mbështetjes së tyre me bazën e nevojshme logjistike. Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet intensive hetimore, të koordinuara ngushtësisht me veprimet operacionale të shërbimeve të Policisë në terren. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorëve, si dhe për forcimin e mëtejshëm të sigurisë në territorin e Sarandës dhe në të gjithë vendin.”

Veprimet hetimore në terren po vijojnë nën drejtimin e prokurorisë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të përfshirë në ngjarje.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit