

TIRANË — Tre organizatat kryesore përfaqësuese të sistemit të drejtësisë — Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë — kanë dorëzuar një padi të përbashkët në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit të ri për pagat e magjistratëve, i miratuar vetëm tri ditë më parë në Kuvend.
Kërkesa e depozituar synon shfuqizimin e plotë si antikushtetues të Ligjit nr. 95/2026 (i datës 18 shtator 2026), si dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas organizatave përfaqësuese, ligji i ri përcakton një formulë që lidh pagën bazë referuese të magjistratit me pagën e Presidentit të Republikës sipas koeficientit 0.38. Kërkuesit argumentojnë se ky mekanizëm riprodhon uljen e fshehtë dhe ngrirjen e pagave, duke anashkaluar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese (Vendimi nr. 15/2026), i cili aktivizoi formula të tjera referuese pas mosveprimit të Kuvendit brenda afatit ligjor të 31 korrikut 2026.
Më tej, magjistratët ngrenë shqetësimin e prapaveprueshmërisë së ligjit, i cili shtrin efektet financiare nga 1 prilli 2023. Kjo masë, sipas tyre, sjell rillogaritje në ulje të pagave, krijon diferenca debitore dhe cenon drejtpërdrejt sigurinë juridike e pavarësinë e gjyqësorit të garantuar nga neni 138 i Kushtetutës.
Paditësit nëvizojnë gjithashtu se ndryshimi prek të gjithë piramidën e sistemit, përfshirë hetuesit e BKH-së, Oficerët e Policisë Gjyqësore, këshilltarët ligjorë dhe administratën gjyqësore, duke krijuar fragmentim financiar. Së fundmi, në padi kontestohet edhe procedura e përshpejtuar parlamentare, ku shoqatat pretendojnë se u njoftuan për dëgjesat publike vetëm pak minuta përpara zhvillimit të tyre, duke pamundësuar një konsultim real dhe transparent.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






