

PADOVA — Hetimet mbi vrasjen e 35-vjeçarit shqiptar Ferdinant Hoti, trupi i të cilit u gjet pa jetë më 8 shtator në lumin Tergola në San Giorgio delle Pertiche, kanë marrë një rrjedhë të re që lidhet me veprimtarinë e shpërndarjes së lëndëve narkotike në rajonin e Venetos.
Në kuadër të një operacioni antidrogë të zhvilluar nga karabinierët e Miranos, u arrestuan shtetasi shqiptar Eris Makaj dhe partnerja e tij italiane, Noemi Caribba, të cilët ndodhen tashmë në burgun e Padovës. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Caribba-s në Mirano, me ndihmën e njësisë kinologjike, hetuesit sekuestruan rreth 800 gramë hashash, 200 gramë kokainë si dhe një sasi prej 2 mijë eurosh në para të gatshme.
Hetimet e autoriteteve italiane kanë evidentuar gjithashtu lidhje të mundshme mes Eris Makajt dhe shtetasit Luigji Makaj, 44 vjeç, i cili u arrestua në muajin korrik për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje së bashku me 39-vjeçarin shqiptar Amiol Gjoka.
Pavarësisht se lidhja mes rrjetit të narkotikëve dhe vrasjes së Ferdinant Hotit mbetet në fazën e një hipoteze hetimore, karabinierët po analizojnë lëvizjet, kontaktet dhe komunikimet e fundit të të arrestuarve për të përcaktuar rolin e tyre të mundshëm në ekzekutimin e 35-vjeçarit. Hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes vijojnë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






