Transmetuar më 21-09-2026, 13:14

PRISHTINË — Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka proceduar zyrtarisht në Kuvend kërkesën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas reagimeve dhe protestave qytetare ndaj dënimeve të ish-drejtuesve të UÇK-së.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, gjatë një deklarate për mediat theksoi se institucioni i Speciales u krijua mbi Kushtetutën dhe ligjet e miratuara nga vetë Kuvendi i Kosovës pas pretendimeve të ngritura në raportin e Dick Marty-t. Hamza nëvijoi se, ndonëse Kosova veproi me bindjen se nuk kishte asgjë për të fshehur, sot pas më shumë se një dekade në Gjykatën Speciale nuk është ngritur asnjë rast që lidhet drejtpërdrejt me pretendimet e atij raporti.

Gjatë paraqitjes së nismës ligjore, Bedri Hamza u shpreh:

“Kjo gjykatë nuk është imponuar nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por është krijuar me Kushtetutën dhe ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës. Kosova mori një vendim të vështirë dhe veproi me bindjen se nuk kishte asgjë për të fshehur. Sot, pas më shumë se një dekade, ekziston një fakt që kërkon përgjigje. Në Dhomat e Specializuara nuk është ngritur një rast lidhur me pretendimet e Martyt. Projektligji jep një përgjigje të qartë. Nuk kërkon mbylljen e Dhomave të Specializuara. Nuk kërkon që akuzat që lidhen me pretendimet për të cilat u krijuan Dhomat e Specializuara të mos hetohen. Ato raste do të vazhdojnë të jenë pjesë e mandatit të tyre. Kjo nuk është nismë për pandëshkueshmëri. Është nismë për të paracaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë çfarë. Sipas zgjidhjes së propozuar, procedurat aktuale vazhdojnë deri në përfundimin e fazës së Apelit, por nëse një rast rikthehet në rigjykim, ai nuk do të nisë nga e para në Hagë. Në atë moment zbatohet juridiksioni i ri dhe, kur të plotësohen kushtet, rasti do të kalojë për procedim në Kosovë.”

Nisma e PDK-së synon të përcaktojë kufijtë e mandatit dhe kalimin e juridiksionit gjyqësor te gjykatat vendore në rastet kur çështjet kthehen për rigjykim, duke kërkuar mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit