Transmetuar më 21-09-2026, 12:53

TIRANË — Autorieti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit në të dyja drejtimet e autostradës Tiranë–Durrës gjatë dy netëve të ardhshme, për shkak të punimeve për montimin e trarëve tërthorë në kuadër të projektit për zgjerimin e rrugës, Faza III.

Bllokimi i parë do të zbatohet në aksin Tiranë–Durrës sonte, më 21 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Gjatë këtij harku kohor, automjetet e lehta do të devijohen përmes rampës së Rinasit drejt rrugës dytësore, për t’u rikthyer më pas në superstradë. Për mjetet e rënda, devijimi i trafikut do të nisë që nga rrethrrotullimi i “Casa Italia” për të shmangur dëmtimin e infrastrukturës provizore.

Ndërkohë, në drejtimin Durrës–Tiranë, kufizimi i qarkullimit do të kryhet natën e 22 shtatorit, po nga ora 23:00 deri në 05:00. Lëvizja e automjeteve do të orientohet përmes mbikalimit Kashar–Thumanë për të vijuar në rrugën dytësore në krahun e majtë deri pas mbikalimit të Kasharit, ku do të bëhet rihyrja në autostradë.

Automjetet që udhëtojnë me destinacion Rinasin, Shkodrën apo Kosovën do të udhëzohen të shfrytëzojnë mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë. ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rigorozisht sinjalistikën provizore dhe udhëzimet e punonjësve të rrugës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit