

TORINO — Është identifikuar shtetasi shqiptar që mbeti i vrarë gjatë një tentative vjedhjeje në Baldissero D’Alba të Italisë, pasi u qëllua nga pronari i banesës ku kishte hyrë bashkë me disa persona të tjerë.
Viktima është 36-vjeçari Gjovalin Lazri, me banim në Torino, ku drejtonte një bar në periferi të qytetit dhe ishte baba i një fëmije.
Sipas të dhënave nga hetuesit vendas, ngjarja ndodhi kur Lazri, i shoqëruar nga pesë persona të tjerë, hyri në oborrin e një banese në proces rikonstruksioni. Pronari i banesës, 35-vjeçari italian Roberto Mollo, i cili ndodhej i vetëm në shtëpi, mori armën e tij pistoletë gjysmëautomatike dhe qëlloi disa herë në drejtim të grupit në errësirë.
Nga të shtënat, 36-vjeçari shqiptar mori plagë fatale që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Autoritetet italiane bëjnë me dije se i ndjeri kishte precedentë të mëparshëm penalë për vepra penale kundër pronës. Policia vendase po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






