Transmetuar më 21-09-2026, 11:04

TIRANË — Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit mëngjesin e kësaj të hëne në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë "detyrim për t’u paraqitur", lidhur me hetimet për dosjen “Partizani”.

Në një deklaratë për mediat menjëherë pas daljes nga goditja e SPAK-ut, Berisha artikuloi një sërë akuzash ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të institucionit të drejtësisë. Ai pretendoi se dosjet që lidhen me veprimtarinë e qeverisë mbajnë hije të forta korrupsioni, ndërsa ngriti pyetjen se përse kreu i ekzekutivit nuk është thirrur për të dëshmuar mbi një sërë çështjesh e projektesh publike.

Gjatë fjalës së tij përpara gazetarëve, Berisha u shpreh:

“Aty duhet të futeshe me maskë ose me antigaz sepse dosjet e Edi Ramës kundërmonin në të katër anët. Për ndërtimin e portit në Porto Romano, shqiptarët duhet të paguajnë nga taksat e tyre 1.2 miliardë dollarë. A duhej të pyetej Edi Rama nga skllevërit e tij në këtë institucion për rrugët që ndërtohen me çmime 6 deri në 10 herë më të larta se në Evropë? A duhej të pyetej Edi Rama për gjobën prej 120 milionë euro që i bëri shqiptarëve me aferën Beketi? A duhet të pyetet Edi Rama për takimin në Aruba, në të cilin morën pjesë trafikantët, ndërtuesit, dhe morën pjesë të dërguarit e Edi Ramës, emrat e të cilëve i mbajnë sekret skllevërit e tij? A duhej të pyetej Edi Rama për AKSHI-n, në të cilin familjarisht ka grabitur mbi 600 milionë euro? A duhej të pyetej Edi Rama për rolin e Ergys Agasit, i cili është i filmuar dhe fotografuar në të gjitha format? A duhej të pyetej Edi Rama për urdhrat që i ka dhënë Ermal Beqirit për operacionet më të ndyra ndaj shqiptarëve dhe të huajve në Shqipëri? A duhej të pyetej Edi Rama për IPARD-in? Mori këshilltare ministren e cila gjobiti fermerët shqiptarët me 130 milionë euro para të IPARD-it për shkak të vjedhjes së tyre. A duhej të pyetej Edi Rama për KAYO-n e tij, në të cilin i jep kompanisë 40 milionë euro, blen makinat dhe ato makina i blen qeveria? A ndodh në botë një skemë e tillë vjedhje si këtu?”

Kreu i opozitës vijoi akuzat ndaj organit të akuzës, duke e cilësuar atë si të ndikuar politikisht nga mazhoranca dhe duke kërkuar hetimin e drejtpërdrejtë të të gjitha projekteve dhe fondeve publike të përmendura prej tij.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit