Transmetuar më 21-09-2026, 08:48

Vrasja e 25-vjeçares në Igumenicë, ekspertiza zbulon plagë të shumta/ 27-vjeçari fillimisht pretendoi se ishin sulmuar nga të panjohur

Një vajzë vetëm 25 vjeçe vdiq natën duke gdhirë dita e sotme pasi u torturua deri në fund të jetës nga një djalë 27 vjeç, i cili më pas dëmtoi veten dhe thirri Policinë, të cilës i tha se ishin dhunuar nga persona të panjohur.

Ngjarja ndodhi në një pistë biçikletash në Igumenicë në vendin fqinjë Greqi, raporton noa.al. Në foto shikoni të ndjerën.

I dyshuari është ish-partneri i saj, 27 vjeç, i cili sipas autoriteteve greke ka pranuar se e ka vrarë pas një konflikti mes tyre.

Nga të dhënat e ekspertizës mjeko-ligjore rezulton se e reja kishte marrë goditje të shumta me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.

Plagët janë konstatuar në kraharor dhe shpinë, ndërsa dy prej tyre ishin të thella në qafë. Viktima kishte gjithashtu një plagë në këmbë.

Pas sulmit ndaj 25-vjeçares, 27-vjeçari dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës.

Eksperti mjeko-ligjor që e ka ekzaminuar ka konstatuar disa plagë të vetëshkaktuara, kryesisht në pjesën e majtë të kraharorit, pranë zemrës. Të paktën një prej plagëve ka prekur thellë mushkërinë e majtë, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e mjekëve.

Ai u dërgua fillimisht në urgjencën e Igumenicës dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm të Filiates, ku po mbahet nën ruajtje policore.

Sipas hetimeve, 27-vjeçari fillimisht u tha policëve se ai dhe 25-vjeçarja ishin sulmuar nga persona të panjohur.

Por gjatë marrjes në pyetje, hetuesit konstatuan mospërputhje në dëshminë e tij.

Më pas ai dyshohet se ka ndryshuar versionin dhe ka pranuar se mes tyre kishte shpërthyer një debat për çështje financiare.

“U grindëm dhe humba kontrollin”, mësohet se u ka thënë policëve.

Ai u ka treguar gjithashtu autoriteteve vendin ku kishte hedhur thikën e përdorur në ngjarje.

25-vjeçarja u gjet e pajetë në një strehë pranë pistës së biçikletave nga një qytetar, i cili njoftoi policinë. Ekipi mjekësor që mbërriti në vendngjarje konstatoi vdekjen e saj.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe dinamikën e vrasjes. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit