Transmetuar më 20-09-2026, 20:04

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka konfirmuar se do të vazhdojë të mbajë detyrën në krye të kabinetit qeveritar, me gjithë goditjen e fortë elektorale që pësoi partia e tij, CDU, në dy zgjedhje lokale të mbajtura këtë të diel.

Sipas projeksioneve të para nga transmetuesi publik ZDF, e djathta e AfD-së pritet të dalë forcë e parë në landin e Mecklenburg-Vorpommern me rreth 38% të votave, e ndjekur nga SPD me 36%, ndërsa CDU rrezikon seriozisht përfaqësimin në parlamentin rajonal. Kancelari Merz e cilësoi këtë ecuri si një "katastrofë" për demokristianët, megjithëse gjasat që AfD të marrë drejtimin e qeverisë rajonale mbeten minimale për shkak të bojkotit nga partitë e tjera politike. Paralelisht, edhe në Berlin, CDU parashikohet të humbasë pozitën e parë duke zbritur në rreth 20%, pas partisë Die Linke që kryeson me afro 26%.

Kjo humbje e dyfishtë thellon krizën politike për Merz, në veçanti pas disfatës që CDU pësoi dy javë më parë në Saksoni-Anhalt ku AfD korri rritje të dukshme. Pavarësisht presionit në rritje, kancelari u shpreh i vendosur për të çuar përpara paketën e reformave ekonomike, fiskale dhe sociale, duke nëvizuar se ndryshimet strukturore janë të domosdoshme për vendin. Rezultatet përfundimtare nga procesi i numërimit në Berlin dhe Mecklenburg-Vorpommern priten të publikohen gjatë orëve në vijim.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit