Transmetuar më 20-09-2026, 17:41

Veprimtari politik nga Skenderaj, Idriz Rrecaj, është i pari mes tre personave të identifikuar përmes analizave të ADN-së pas zhvarrimit të mbetjeve mortore nga varrezat masive të zbuluara në veri të Kosovës. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga familja e tij, pasi mori përgjigjen zyrtare nga laboratori i ADN-së në Hagë, duke i dhënë fund kërkimeve dhe ankthit 27-vjeçar për fatin e tij.

Idriz Rrecaj, i dekoruar në vitin 2019 me titullin “Hero i Kosovës”, u rrëmbye dhe u zhduk me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe së bashku me 22 qytetarë të tjerë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të njohur si “grupi i intelektualëve”. Identifikimi i tij vjen një ditë pasi kryeministri Albin Kurti njoftoi konfirmimin e tri viktimave të para nga mostrat e dërguara në Holandë nga lokacionet në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, ku u gjetën mbetjet mortore të së paku 23 personave.

Zbulimi i këtyre varrezave masive erdhi pas një hetimi dyvjeçar për krime lufte kundër popullsisë civile, proces gjatë të cilit Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar në paraburgim katër persona të dyshuar. Ndërkohë që autoritetet kosovare presin rezultatet e ADN-së për viktimat e tjera në javët në vijim, më shumë se 1,500 persona vazhdojnë të mbeten ende të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit