Transmetuar më 20-09-2026, 14:10

Tirana është bërë mikpritëse e takimit të 42-të të Kapitullit Europian të FBI National Academy Associates (FBINAA), ku nga data 19 deri më 23 shtator zyrtarë të lartë të FBI-së, si dhe ekspertë të sigurisë nga SHBA-ja dhe Evropa, po zhvillojnë takime me drejtues të institucioneve ligjzbatuese shqiptare. Me temën “Building International Partnerships – Combating Organized Crime for a Safer Environment”, ky aktivitet synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive, shkëmbimin e të dhënave operative dhe diskutimin e metodave të reja në luftën kundër krimit të organizuar.

Hapja zyrtare e punimeve të konferencës është parashikuar për datën 21 shtator, ku do të marrin pjesë drejtues të lartë, përfshirë Zëvendësdrejtorin Ndihmës të FBI-së Spencer Horn, Presidentin Ndërkombëtar të FBINAA Jim Gallagher, si dhe përfaqësues nga Policia e Shtetit, SPAK-u, BKH-ja, Prokuroria e Përgjithshme dhe EUROPOL-i.

Gjatë sesioneve pesëditore, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërcënimeve teknologjike dhe formave të reja kriminale, si hetimi i rrjeteve të komunikimit të koduar dhe grupimi online ekstremist “764”. Gjithashtu, në fokus të axhendës do të jenë inteligjenca financiare, administrimi i pasurive të sekuestruara, si dhe prezantimi i rasteve me sukses të hetuara në Shqipëri nga Byroja Kombëtare e Hetimit në fushën e narkotikëve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit