

Një atentat me armë zjarri ka tronditur sot qendrën e qytetit të Sarandës, ku ka mbetur i vrarë 44-vjeçari Artan Myrtaj, i njohur ndryshe me nofkën “Tani Ruzhdiut”. Nga të shtënat e njëpasnjëshme ka mbetur i plagosur edhe një kalimtar rasti, i identifikuar si shtetasi Xhevdet Skëndaj, i cili është dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore. Ngjarja e rëndë është kryer nga dy persona të maskuar, të cilët i janë afruar viktimës të hipur mbi një motocikletë dhe më pas janë larguar me shpejtësi.
Viktima Artan Myrtaj rezulton person me precedentë të shumtë penalë, i dënuar më parë për vjedhje dhe përdorues i lëndëve narkotike. Ai po ashtu ishte i përfshirë në ngjarjen e rëndë të 17 korrikut 2025 në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku mbetën të plagosur me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj. Në atë ngjarje, autori kryesor ishte 44-vjeçari Ramadan Zoto, ndërsa Myrtaj, së bashku me Klaus Jacajn dhe Erjon Canajn, e ndihmuan atë gjatë krimit dhe arratisjes.
Kjo përplasje nisi një sagë të përgjakshme hakmarrjeje në qytet. Pas plagosjes së dyfishtë, në Sarandë u vra me tritol Isuf Jacaj, babai i Klaus Jacajt, si dhe u shkatërrua prona e Ramadan Zotos. Aktveprimet gjyqësore të fundit kishin sjellë ndryshime në masat e sigurisë: ndërsa Ramadan Zoto ndodhet në burg si autor kryesor, Artan Myrtaj dhe Klaus Jacaj, të cilët akuzoheshin për “përkrahje të autorit të krimit”, ishin liruar nga qelia pak kohë më parë. Në kërkim për atë ngjarje mbetet vetëm shtetasi Erjon Canaj.
Grupi hetimor po vijon punën në vendngjarje për sekuestrimin e provave materiale dhe kamerave të sigurisë, ndërsa forcat e policisë kanë ngritur pika kontrolli për gjurmimin dhe kapjen e dy autorëve të maskuar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






