Transmetuar më 19-09-2026, 22:41

Për të katërtën natë me radhë, një numër i madh qytetarësh nga mbarë Kosova janë mbledhur në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Hagës për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një nga organizatorët e këtij tubimi, Çlirim Haziri, deklaroi se protestat nuk do të ndalen dhe do të vazhdojnë deri në realizimin e plotë të kërkesës për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Reagimet ndaj aktgjykimit të shpallur më 16 shtator ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit i kanë kaluar kufijtë e Kosovës, duke u shtrirë fuqishëm edhe në diasporë.

Përveç tubimit në Prishtinë, gjatë ditës së sotme janë zhvilluar protesta edhe nga komuniteti shqiptar në Zvicër e Gjermani, ndërsa manifestime të tjera mbështetëse janë paralajmëruar të mbahën edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpara selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit