

Eurodeputeti i partisë "Demokracia e Re", Fredi Beleri, ka tërhequr publikisht deklaratën e tij të bërë lidhur me Ilias Kasidiaris, ish-deputetin e organizatës neo-naziste "Agimi i Artë", i cili u lirua nga burgu më 15 shtator pas kryerjes së një pjese të dënimit prej 13 vitesh. Diskutimi nisi pas një interviste televizive ku Beleri deklaroi se Kasidiaris ishte nga të paktët që e kreu dënimin deri në ditën e fundit. Kjo deklaratë nxiti reagimin e partisë opozitare PASOK, e cila kërkoi distancimin e menjëhershëm të qeverisë greke dhe "Demokracisë së Re" nga qëndrimi i eurodeputetit.
Në sqarimin e tij publik pas polemikave të krijuara në Greqi, Beleri pranoi se formulimi i përdorur prej tij kishte qenë i pavend dhe i gabuar. Ai sqaroi se nuk ka asnjë lidhje me Kasidiarisin apo me linjën politike që ai përfaqëson, ndërsa akuzoi PASOK-un për shkëputjen e deklaratës nga konteksti. Beleri nëntakoi gjithashtu se partia e tij ka qenë ajo që përballoi institucionalisht "Agimin e Artë" duke e çuar përpara drejtësisë, ndërsa Kasidiaris — i dënuar si drejtues i një organizate kriminale — ka paralajmëruar rikthimin e tij në skenën politike pas daljes nga qelia.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






