

Shumica socialiste ka vendosur të përshpejtojë procedurat parlamentare për miratimin e Hartës së re Territoriale, duke parashikuar votimin e saj në seancë plenare më 8 tetor, ose më së voni deri më 15 tetor. Kalendari i punimeve nis të hënën në Konferencën e Kryetarëve dhe do të vijojë me diskutimet në Komisionin e Ligjeve. Ky afat i posaçëm vendoset për t’i lënë kohën e nevojshme përgatitjeve institucionale përpara zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Procedura e shqyrtimit në Kuvend do të zgjasë vetëm dy javë, duke nisur më 23 shtator me prezantimin në parim të projektit. Më 28 shtator janë parashikuar seancat dëgjimore me Këshillin e Ministrave, shoqatat e bashkive dhe ekspertët e qeverisjes vendore, ndërsa shqyrtimi nen për nen në Komisionin e Ligjeve do të mbyllet më 5 tetor. Projektligji do të kalojë më pas në seancën plenare të 8 tetorit, ku Partisë Socialiste i nevojiten 84 vota për miratim përpara se dokumenti t’i kalojë Presidentit për dekretim.
Drafti i propozuar nga shumica parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke shkrirë 15 njësi aktuale të cilat do t’u bashkohen bashkive fqinje. Ky proces prek bashkitë Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, vendim i cili ka nxitur kundërshtime edhe brenda këshillave vendorë. Kjo shënon herën e dytë pas vitit 2014 që ndarja administrative miratohet pa konsensusin e opozitës, e cila propozon një hartë me 100 bashki.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






