

TIRANË, 19 shtator 2026 – Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur zonën e Zogut të Zi në Tiranë, ku një 58-vjeçare ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur me thikë nga bashkëshorti i saj.
Viktima është identifikuar si Lumturie Patushi, 58 vjeç, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është Hysni Patushi, 69 vjeç, bashkëshorti i saj.
Ngjarja ka ndodhur në një kompleks pranë gjimnazit “Harry Fultz”. Lumturie Patushi është transportuar me urgjencë në spital pasi ka marrë plagë të rënda, por nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve.
Pas ngjarjes, Hysni Patushi dyshohet se është larguar nga vendi i krimit. Policia ka nisur kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Tiranës dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Deri në këto momente, rrethanat dhe motivet që kanë çuar në konfliktin mes çiftit mbeten objekt hetimi. Autoritetet po punojnë gjithashtu për të përcaktuar nëse ka pasur konflikte të mëparshme mes viktimës dhe të dyshuarit.
Policia vijon kontrollet për kapjen e Hysni Patushit, ndërsa materialet e mbledhura në vendngjarje pritet t’i nënshtrohen ekspertizave.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






