Transmetuar më 19-09-2026, 12:11

TIRANË, 19 shtator 2026 – Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e mjekes Elona Burba dhe ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm ndaj saj dhe mjekut Petrit Rexhepi, të cilët janë shpallur fajtorë për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”, lidhur me vdekjen e pacientes Dorjana Haka.

Elona Burba, e cila ushtronte detyrën e anestezistes, është dënuar me 1 vit burgim, dënim i cili është konvertuar në 2 vite shërbim prove, si dhe me heqjen e së drejtës për ushtrimin e profesionit të mjekut për një periudhë prej dy vitesh.

Ndërsa mjeku obstetër-kirurg Petrit Rexhepi është dënuar me 6 muaj burgim, dënim i konvertuar në 1 vit shërbim prove.

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, argumentet e paraqitura nga gjykata e apelit janë të mbështetura në një analizë të plotë të çështjes dhe në zbatimin e ligjit. Gjykata ka arritur në përfundimin se dy mjekët nuk kanë respektuar protokollin mjekësor lidhur me analizat që duhej t’i kryheshin pacientes përpara ndërhyrjes kirurgjikale.

Në vendim theksohet se përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të Dorjana Hakës mund të ishte shmangur nëse, përpara ndërhyrjes, do të ishin kryer testet e koagulimit.

Gjykata vlerëson se bëhej fjalë për një ndërhyrje të planifikuar dhe se personeli mjekësor kishte kohën e nevojshme për t’u siguruar që pacientja t’i nënshtrohej të gjitha analizave dhe ekzaminimeve të parashikuara nga protokolli në fuqi.

Sipas Gjykatës së Lartë, moskryerja e testit të koagulimit përpara ndërhyrjes kirurgjikale përbën neglizhencë mjekësore të pajustifikueshme.

Gjykata ka rrëzuar gjithashtu pretendimin se komplikacionet ishin objektivisht të pashmangshme. Në vendim argumentohet se protokolli mjekësor parashikonte kryerjen e testit të koagulimit, pikërisht me qëllim identifikimin dhe shmangien e komplikacioneve të mundshme.

Si ndodhi ngjarja

Dorjana Haka solli në jetë fëmijën e saj të parë, një djalë, më 4 nëntor 2014. Tre ditë më vonë, ajo pësoi komplikacione shëndetësore dhe u transferua nga një institucion spitalor në tjetrin.

Pas 16 ditësh shtrimi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Dorjana Haka ndërroi jetë.

Vendimi i Gjykatës së Lartë përmbyll shqyrtimin gjyqësor të rekursit të paraqitur nga mjekja Elona Burba dhe lë në fuqi dënimet e dhëna nga gjykatat më të ulëta.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit