Transmetuar më 19-09-2026, 12:10

LEZHË-MILOT, 19 shtator 2026 – Qarkullimi i mjeteve të rënda në Urën e Matit, në aksin nacional Lezhë-Milot, është kufizuar për automjetet që tejkalojnë peshën 13 tonë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ka vendosur barriera betoni në të dyja anët e urës, me qëllim ndalimin e kalimit të mjeteve që tejkalojnë tonazhin e lejuar.

Masa është marrë pas ndërhyrjes emergjente të kryer disa muaj më parë për përforcimin e themeleve të urës. Sipas autoriteteve, pavarësisht sinjalistikës së vendosur, monitorimet në terren kanë evidentuar raste të përsëritura të shkeljes së kufizimit nga automjetet e rënda.

Nga ana tjetër, disa përdorues të urës kanë ngritur shqetësime lidhur me gjendjen e strukturës dhe cilësinë e ndërhyrjes së kryer.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka sqaruar se kufizimi i qarkullimit nuk lidhet me ndonjë cedim apo dëmtim të urës, por është një masë parandaluese që synon mbrojtjen e ndërhyrjes së kryer në themele dhe garantimin e qëndrueshmërisë së strukturës në afatgjatë.

Ura e Matit ka një gjatësi prej rreth 844 metrash. Për rikonstruksionin dhe përforcimin e saj është akorduar një fond emergjent prej 107 milionë lekësh, ndërsa punimet kanë zgjatur rreth tetë muaj.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë kufizimin dhe sinjalistikën e vendosur në zonë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit