

FIER, 19 shtator 2026 – Prokuroria e Fierit ka zhvilluar një operacion lidhur me dyshimet për falsifikim dokumentesh, mashtrim, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale, në kuadër të regjistrimit dhe tjetërsimit të disa pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit.
Sipas Prokurorisë, janë arrestuar E.S., ish-drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, dhe E.H., i dyshuar si përfitues i pronave, ndërsa ndaj ish-hartografit të ASHK-së Fier, E.R., është caktuar masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore”.
Hetimi lidhet me regjistrimin e gjashtë pasurive, me një sipërfaqe totale prej rreth 71.7 hektarësh, në zonën kadastrale nr. 2436.
Çështja është regjistruar në kuadër të procedimit penal nr. 1715, të nisur më 5 nëntor 2025. Prokuroria po heton dyshimet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas organit të akuzës, hetimi lidhet me një vendim të vitit 2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen e të drejtës së kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit.
Një prej trashëgimtarëve përfitues, E.H., kishte përfituar më pas, në vitin 2018, kompensim financiar në vlerën 53.8 milionë lekë.
Prokuroria dyshon se, pavarësisht kompensimit financiar, gjatë vitit 2023 janë ndjekur procedura për regjistrimin e gjashtë pasurive, me sipërfaqe totale rreth 71.7 hektarë, duke iu referuar dokumentacionit të mëparshëm.
Në kuadër të hetimeve, organi i akuzës thotë se janë verifikuar veprimet administrative dhe kadastrale të ish-drejtorit të ASHK-së Fier dhe ish-hartografit lidhur me dokumentacionin e përdorur për regjistrimin e pronave.
Pas regjistrimit, disa prej pasurive dyshohet se janë shitur, duke gjeneruar të ardhura në vlera të konsiderueshme. Prokuroria po verifikon transaksionet, lëvizjen e parave dhe destinacionin e tyre.
Gjatë hetimit është sekuestruar edhe një shumë prej 715,976 eurosh, e depozituar në një llogari bankare të E.H., si dhe dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera që do t’i nënshtrohen verifikimeve.
Prokuroria njofton se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të çështjes, identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive individuale penale.
Personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Njoftimi i Prokurorisë:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u arrestuan shtetasit, E.S., ish-Drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe përfituesi i pronave, të dyshuara të marra me dokumente të falsifikuara E.H., si dhe u dha masë sigurimi ‘Detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore’ për shtetasin E.R., ish-hartograf pranë ASHK-së Fier.
Hetimet mbi procedimin penal nr. 1715, datë 05.11.2025, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar respektivisht nga nenet 186, 143, 287 dhe 248 të Kodit Penal, nisën pas dyshimeve për përfitim dhe regjistrim të kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit, si dhe tjetërsimin e tyre dhe qarkullimin e vlerave monetare të përfituara.
Fakti penal i dyshuar lidhet me vendimin e vitit 2008 i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që parashikonte njohjen e të drejtës së kompensimit për 100 ha tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit. Një prej trashëgimtarëve përfitues, shtetasi E.H., ka përfituar më pas, me Vendimin nr. 1944, datë 26.11.2018, të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, kompensim financiar në vlerën 53.800.000 lekë.
Pavarësisht kompensimit financiar, nga hetimi dyshohet se gjatë vitit 2023, shtetasi E.H. ka ndjekur procedura për regjistrimin e 6 pasurive në ZK nr. 2436, me sipërfaqe totale rreth 71.7 ha, duke iu referuar Vendimit nr. 246, datë 21.02.2008. Hetimi deri ne këtë fazë ka evidentuar veprimet e E.S., ish-Drejtor i ASHK Fier, dhe E.R., ish-hartograf pranë ASHK Fier, lidhur me trajtimin administrativ dhe kadastral të dokumentacionit të përdorur për regjistrimin e pasurive.
Pas regjistrimit, disa prej pasurive dyshohet se janë tjetërsuar nëpërmjet shitjes, duke gjeneruar të ardhura në vlera të konsiderueshme. Hetimi vijon për verifikimin e këtyre transaksioneve, gjurmimin e vlerave monetare dhe përcaktimin e destinacionit të tyre. Gjatë hetimit u sekuestruan edhe 715.976 euro, të depozituar në llogarinë bankare të E.H. Si dhe janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme. Hetimi vijon për dokumentimin e plotë të rrethanave të çështjes, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






