Transmetuar më 19-09-2026, 11:16

Bordi vendos çmimet tavan, nafta 219 lekë dhe benzina 195 lekë për litër nga ora 16:00

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve ka zhvilluar këtë të shtunë, më 19 shtator 2026, mbledhjen e parë pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve, duke përcaktuar çmimet tavan për shitjen me shumicë dhe pakicë të karburanteve.

Sipas vendimit të Bordit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë i gazoilit do të jetë 219 lekë për litër, ndërsa në shitjen me shumicë nuk do të lejohet të kalojë 207 lekë për litër.

Për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është përcaktuar në 195 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë në 183 lekë për litër.

Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 19 shtator, në orën 16:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të pasqyrohen zhvillimet e reja të çmimeve në treg.

Autoritetet kanë paralajmëruar të gjithë operatorët që tregtojnë me shumicë apo pakicë nënprodukte të naftës se zbatimi i çmimeve tavan është i detyrueshëm.

Në rast të konstatimit të shkeljeve, ndaj operatorëve parashikohet pezullimi i aktivitetit.

Vendimi është i vonuar sepse ato pak kompani që kontrollojnë tregun e karburanteve në Shqipëri, u sulën të rrisin çmimet pas shkrirjes sl Bordit të Transparencës që e la naftën me 174 lekë dhe benzinën 165, kur euro me të cilën importohen këto lëndë djegëse, ishte më e fuqishme se sot.

Por, ndërsa euro degjeneroi në 90 lekë, paradoksalisht nafta dhe benzina u shtrenjtuan duke kërcyer prej disa javësh në 229 lekë, çmim që ka rënduar së tepërmi financat e qytetarëve. Ekspertët thonë se as luhatjet në tregun botëror nuk reflektohen në kohë në Shqipëri.

Kompanitë e karburanteve paditën shtetin në gjykatë duke kërkuar dëmshpërblim të majmë për çmimet e fiksuara gjatë periudhës së Bordit të Transparencës dhe më pas rritën çmimet. Disa thonë se krahas parave që presin të marrin nga shteti, oligarkët po korrin fitime shtesë që i konsiderojnë të munguara.

/noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit