

BRUKSEL- Kanadaja dhe BE "e shohin botën përmes të njëjtës lente", sipas Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Dhe kjo ndjenjë duket se është e ndërsjellë.
"Angazhimi ynë ndaj sundimit të ligjit dhe mbrojtja jonë e palëkundur e dinjitetit njerëzor, lirisë individuale dhe demokracisë kanë të njëjtat rrënjë të thella dhe të njëjtin përkushtim të palëkundur," tha kryeministri kanadez Mark Carney.
Në këtë frymë, dhe ndërsa të dyja palët kërkojnë një mënyrë efektive për t’u përballur me Donald Trumpin dhe tarifat e tij, Ursula von der Leyen hodhi idenë të enjten se Kanadaja mund të bëhet anëtarja e parë e asociuar e Bashkimit Evropian.
Duke qenë se koncepti i anëtarësisë së asociuuar nuk ekziston ende, është e vështirë të përcaktohet saktësisht se çfarë do të përfshinte kjo. Gjermania kishte propozuar për Ukrainën një marrëveshje të ngjashme këtë vit, por Volodymyr Zelenski e refuzoi idenë me arsyetimin se vendi i tij dëshironte anëtarësim të plotë. Edhe pse nuk njihen zyrtarisht si anëtare të asociuara, shumë vende ruajnë lidhje të ngushta ose kanë lidhur marrëveshje me bllokun evropian. DW hedh një vështrim mbi disa prej tyre dhe se si funksionojnë.
EFTA dhe qasja në tregun e brendshëm – Norvegjia, Lihtenshtejni, Islanda
Nën këtë model, vendet e ‘Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA)’ janë pjesë e tregut të brendshëm të BE, gjë që lejon lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve brenda Zonës Schengen. Këto tre vende gjithashtu respektojnë shumë rregulla të BE në fusha të tilla si turizmi, mjedisi dhe arsimi.
Megjithatë, ekzistojnë dallime të dukshme. Këto vende nuk marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes, përveç se japin një kontribut të caktuar në hartimin e politikave, si përmes pjesëmarrjes në grupe ekspertësh. As nuk janë pjesë e bashkimit doganor, nuk përdorin euron, apo nuk janë të detyruar nga politika tregtare e përbashkët e BE ose legjislacioni i BE për drejtësinë. Muajin e kaluar, Islanda mbajti një referendum për anëtarësimin e plotë në BE, por fushata e qeverisë në favor të tij dështoi dhe vendi mbetet anëtar i EFTA-s.
Marrëveshje dypalëshe – Zvicra
Edhe pse ndan kufij me katër shtete anëtare të BE-së (Gjermaninë, Italinë, Francën dhe Austrinë), Zvicra kurrë nuk ka qenë anëtare e plotë. Megjithatë, më shumë se 120 marrëveshje dypalëshe janë nënshkruar midis BE-së dhe Zvicrës gjatë 50 viteve të fundit. Këto mbulojnë fusha të tilla si tregtia, transporti, siguria dhe arsimi. Një paketë e re marrëveshjesh u finalizua vitin e kaluar, njëzet vjet pas nënshkrimit të marrëveshjeve të fundit.
Më shumë se 1.5 milionë qytetarë të BE-së jetojnë dhe punojnë në Zvicër, ndërsa 466.200 shtetas zviceranë janë zhvendosur në drejtim të kundërt. Kjo është e mundur sepse Zvicra është gjithashtu pjesë e Hapësirës Shengen, e cila lejon lirinë e lëvizjes së njerëzve përtej kufijve.
Zvicra jep kontribute financiare për disa shtete anëtare të BE-së që u anëtarësuan gjatë zgjerimit të vitit 2004, kryesisht në Evropën Lindore, por nuk ka të drejtë vote brenda BE-së dhe miraton vetëm disa nga ligjet e BE-së. Zvicra gjithashtu mund të marrë pjesë në disa programe dhe projekte kërkimore të BE-së, pas negociatave individuale.
Marrëveshja pas Brexitit – Britania e Madhe
Më shumë se katër vjet pasi Britania e Madhe votoi për t’u larguar nga BE-ja në një referendum në vitin 2016, të dyja palët nënshkruan një marrëveshje tregtare dhe bashkëpunimi. Negocimet ishin të tensionuara dhe komplekse, dhe tani Britania e Madhe ka akses të kufizuar në tregun e BE dhe përputhet me BE-në në disa fusha politike dhe rregullatore, të paktën për momentin.
Nuk ka më lëvizje të lirë të njerëzve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së në asnjë drejtim, dhe Britania e Madhe nuk bën pjesë as në tregun e brendshëm e as në bashkimin doganor. Që kur Partia Laburiste (qendra-majtas) zëvendësoi konservatorët në qeveri në vitin 2024, diskutimet për kthimin në bashkimin doganor dhe përputhshmërinë me fusha të tjera të caktuara të politikave të BE-së janë intensifikuar. Megjithatë, një rikthim në anëtarësinë e plotë duket pa gjasa për momentin.
Procesi i Stabilizimit dhe Asociimit – vendet e Ballkanit Perëndimor
BE nuk ka pranuar asnjë shtet anëtar të ri pas Kroacisë në vitin 2013. Disa vende fqinje në rajon shpresojnë të bashkohen me Bashkimin, por së pari duhet të përmbushin një sërë kriteresh në kuadër të ‘Procesit të Stabilizimit dhe Asociimit’ të BE-së, të hartuar për ‘Ballkanin Perëndimor ‘. Këto janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Në kuadër të këtij programi, BE-ja është zotuar të "përgatisë partnerët e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim përmes reformave ekonomike dhe investimeve, dhe t’u mundësojë qytetarëve të rajonit të përfitojnë nga disa prej avantazheve të anëtarësimit në BE".
Së pari, vendet duhet të bëhen kandidatë zyrtarë për anëtarësim duke dorëzuar një aplikim në BE, ku çdo shtet anëtar duhet të jetë dakord të pranojë kandidaturën e tyre. Kjo pasohet nga një proces negociatash, i ngjashëm me atë që po zhvillohet aktualisht me Ukrainën, Serbinë, Shqipërin dhe Malin e Zi. Së fundi, hartohet një traktat anëtarësimi, i cili duhet të miratohet nga Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian. Vetëm pasi ky traktat të jetë nënshkruar dhe ratifikuar nga të gjitha shtetet anëtare dhe vendi kandidat, ky i fundit bëhet anëtar i BE-së./DW
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






