

Greqi–Shqipëri në kohë rekord, autostrada e re Janinë–Kakavijë pritet të përfundojë në dhjetor 2029
Projekti 310 milionë euro do të lidhë drejtpërdrejt Autostradën Joniane me Kakavijën. Punimet kanë nisur dhe përfundimi parashikohet në dhjetor 2029
Një nga projektet më të rëndësishme rrugore në veriperëndim të Greqisë po avancon dhe pritet të ndryshojë ndjeshëm lidhjen tokësore me Shqipërinë.
Bëhet fjalë për aksin Janinë–Kakavijë, vazhdim i drejtpërdrejtë i Autostradës Joniane drejt kufirit greko-shqiptar. Me përfundimin e tij do të krijohet një korridor modern rrugor me gjatësi rreth 70 kilometra.
Projekti përfshihet në “Korridori Blu”, rrjeti rrugor që synon të lidhë Triesten me Kalamatën dhe të forcojë transportin, tregtinë dhe turizmin në Europën Juglindore.
Pas përfundimit të projektit, aksi kryesor i Autostradës Joniane do të nisë nga Antirrio, do të kalojë në Mesolongji, Agrinio, Artë dhe Janinë, për të përfunduar në pikën kufitare të Kakavijës.
Kostoja e projektit Janinë–Kakavijë arrin në rreth 310 milionë euro. Rruga r re shihet si e mirëpritur për emigrantët shqiptarë që jetojnë në zona të ndryshme të Greqisë, por edhe nga shqiptarët që vizitojnë Greqinë, raporton noa.al.
Një nga ndryshimet më të mëdha do të jetë koha e udhëtimit. Sipas të dhënave të projektit, rruga nga Janina deri në Kakavijë do të përshkohet për rreth 35 minuta, dukshëm më shpejt se sot që merr afro një orë.
Ndërsa i gjithë itinerari Antirrio–Janinë–Kakavijë, me gjatësi rreth 264 kilometra, pritet të përshkohet për afërsisht 2 orë e 15 minuta.
Punimet kanë hyrë tashmë në fazën e zbatimit. Aktualisht po kryhen punime dheu, pastrimi dhe përgatitjeje të terrenit, ndërsa kanë nisur edhe punimet për themelet e një ure të madhe rreth 560 metra të gjatë.
Ura do të ketë 14 hapësira dhe do të mundësojë lidhjen e aksit të ri me Autostradën Joniane dhe Egnatia Odos.
Aksi Janinë–Kakavijë ndahet në dy pjesë kryesore.

Segmenti i parë, Janinë–Kalpaki, është 46,4 kilometra i gjatë dhe parashikon gjashtë nyje rrugore në nivele të ndryshme.
Segmenti i dytë, Kalpaki–Kakavijë, përfshin përmirësimin e rrugës ekzistuese në një gjatësi prej 23,1 kilometrash deri në pikën kufitare.
Sipas njoftimit zyrtar të bërë publik nga autoritetet greke për projektet rrugore, përfundimi i autostradës Janinë–Kakavijë parashikohet në dhjetor të vitit 2029. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






