

Një baba shqiptar në Qipro ka përfunduar para Gjykatës së Pafosit, pasi akuzohet se la vajzën e tij 11-vjeçare vetëm në shtëpi për dy ditë, ndërsa udhëtoi drejt Shqipërisë për të ndjekur ndeshjen e Pafos FC.
Sipas raportimeve sot të mediave qipriote që citon noa.al, burri kishte kujdestarinë e vajzës gjatë datave 19 dhe 20 gusht, por dyshohet se e la atë pa mbikëqyrje për të udhëtuar me ekipin drejt Shqipërisë.
Ai akuzohet për braktisjen e një fëmije nën moshën 16 vjeç dhe për ekspozimin e të miturës ndaj një rreziku që mund t’i shkaktonte dëm shëndetit.
Rasti u zbulua pasi fqinjët njoftuan policinë se vajza dukej se kishte mbetur vetëm në banesë që prej një dite më parë.
Policia shkoi në shtëpi dhe gjeti 11-vjeçaren të vetme. Vajza u tha punonjësve të policisë se babai kishte udhëtuar për të parë Pafos FC në ndeshjen europiane që luhej në Shqipëri.
Pas zbulimit të rastit, autoritetet njoftuan shërbimet e mirëqenies shoqërore, të cilat morën përsipër mbrojtjen dhe kujdesin e vajzës.
Babai u arrestua pas kthimit të delegacionit në aeroportin e Pafosit dhe dosja u dërgua në gjykatë, ku u regjistrua çështja penale ndaj tij.
Ai u paraqit sot përpara Gjykatës së Pafosit për t’iu përgjigjur akuzës për braktisjen e fëmijës. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






