

FRANKFURT — Banka Qendrore Evropiane ka hapur një konsultim publik online, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 21 shtator 2026, duke u dhënë mundësinë qytetarëve evropianë të shprehin preferencat e tyre mbi konceptin vizual të serisë së re të kartëmonedhave Euro.
Nevoja për redizajnimin e bankënotave nuk lidhet me ndonjë krizë sigurie, pasi treguesit e falsifikimit mbeten në nivele minimale historike. Gjatë vitit 2025 janë hequr nga qarkullimi rreth 444 mijë prerje false — me një rënie prej 20% krahasuar me vitin paraprak — ku 80% e tyre përfaqësoheshin nga prerjet 20 € dhe 50 €. Procesi synon përditësimin periodik të elementeve mbrojtëse teknologjike, rritjen e qëndrueshmërisë mjedisore të materialit dhe lehtësimin e përdorimit nga personat me dëmtime në shikim.
Pas një përzgjedhjeje nga një juri me 21 ekspertë mes 1,241 aplikimeve fillestare, garojnë dy koncepte kryesore me nga pesë variante secili:
Propozimi i parë, i titulluar "Kultura evropiane", u kushtohet figurave të shquara të artit, shkencës dhe letërsisë. Sipas këtij varianti, prerja 5 euro i dedikohet sopranos Maria Callas, 10 euro kompozitorit Ludwig van Beethoven, 20 euro shkencëtares Marie Curie, 50 euro shkrimtarit Miguel de Cervantes, 100 euro gjeniut Leonardo da Vinci, ndërsa prerja 200 euro i kushtohet aktivistes për paqen Bertha von Suttner.
Alternativa e dytë, "Lumenjtë dhe zogjtë", i shmanget personazheve historikë duke propozuar një udhëtim në mjediset natyrore të kontinentit përmes specieve të ndryshme të shpendëve dhe rrjedhave ujore, ndërsa në pjesën e pasme kombinon pamje të institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian.
Vendimi përfundimtar mbi konceptin grafik do të merret nga Këshilli Drejtues i BQE-së deri në fund të vitit 2026. Prodhimi dhe hedhja në qarkullim e kartëmonedhave të reja do të kërkojë disa vite kohë, ndërsa seritë aktuale do të vazhdojnë të ruajnë me fuqi të plotë statusin e tyre si mjet ligjor pagese.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






