

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një mbledhje pune me drejtuesit e qarqeve për të analizuar ecurinë e mekanizmit të ri të komunikimit me qytetarët, i emërtuar "Prania Besnike", ku gjatë javës së dytë janë regjistruar 431 ankesa në shkallë vendi.
Takimet javore zhvillohen çdo të premte në orën 17:00 me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medieve, me qëllim ruajtjen e privatësisë dhe krijimin e hapësirës për shprehjen e lirë të shqetësimeve individuale e komunitare. Gjatë analizës së të dhënave, Rama theksoi se fokusi i kësaj nisme nuk duhet të mbetet thjesht në përcjelljen e ankesave, por te garantimi i zgjidhjes së tyre sipas objektivave e planeve të përcaktuara.
Sipas raportimeve të bëra nga drejtuesit politikë të qarqeve, procesi ka shënuar rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes dhe numrit të ankesave në krahasim me javën e parë:
Kryetari i grupit parlamentar Blendi Klosi bëri me dije se numri i dëgjesave u rrit me mbi 50%, duke shkuar nga 80 në javën e parë në 149 dëgjesa në të dytën. Drejtuesi politik për qarkun Korçë, Niko Peleshi, raportoi 263 ankesa në total, prej të cilave 118 i përkasin Bashkisë Korçë, 85 Pogradecit dhe 57 Kolonjës. Në qarkun Vlorë, sipas Bledi Çuçit, janë mbledhur 179 ankesa, ndërsa Enea Karakaçi vuri në dukje se në dy javë janë regjistruar 172 shqetësime, kryesisht të natyrës individuale.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku bëri me dije se nga 431 ankesat e mbledhura në shkallë vendi po punohet për rritjen e nivelit të zgjidhjes gjatë javës në vijim. Ndërkohë, Ministri i Shtetit Arbjan Mazniku konfirmoi se sistemi i adresimit nëpër institucione është plotësisht funksional dhe se 31 çështje kanë marrë tashmë përgjigje zyrtare, teksa drejtues të tjerë si Ogerta Manastirliu dhe Ulsi Manja nëvizuan se takimet kanë përfshirë mbi 1,200 qytetarë dhe se të gjitha rasteve u është dhënë rruga e referimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






