Transmetuar më 19-09-2026, 08:30

Ndarja administrative e Shqipërisë ka pësuar ndryshime të vazhdueshme që nga krijimi i shtetit modern, duke pasqyruar modelet politike dhe shkallën e centralizimit të pushtetit. Pas shpalljes së Pavarësisë, Qeveria e Vlorës zbatoi fillimisht një strukturë të trashëguar nga Perandoria Osmane, e cila bazohej në prefektura, nënprefektura dhe krahina. Më pas, Statuti Organik i vitit 1914 parashikoi ndarjen në sanxhaqe, kaza, nahije dhe bashki, ndërsa gjatë periudhës së Mbretërisë u konsolidua përfundimisht modeli i prefekturave, me bashkitë që vepronin kryesisht në qendrat urbane.

Pas vitit 1945, regjimi komunist vendosi një sistem të centralizuar administrativ të përbërë nga rrethet, qytetet dhe fshatrat e bashkuara. Këshillat popullorë të asaj periudhe funksiononin si organe zbatuese të pushtetit qendror pa autonomi financiare apo politike. Me kalimin në sistemin pluralist pas vitit 1990, shteti nisi procesin e decentralizimit. Në vitin 1992 u krijuan 36 rrethe, 44 bashki dhe 313 komuna, ndërsa reforma e vitit 2000 e strukturoi territorin në 12 qarqe, 65 bashki dhe 308 komuna, duke çuar numrin e njësive të nivelit të parë në 373, citon Monitor.

Pavarësisht afërsisë me komunitetin, ky sistem prodhoi fragmentim të lartë financiar dhe administrativ, ku shumë komuna vvisheshin nga varësia e plotë ndaj transfertave qendrore. Për të adresuar këtë problematikë, reforma e vitit 2014 e reduktoi numrin e njësive bazë në 61 bashki, ndërsa ish-komunat u shndërruan në njësi administrative pa personalitet juridik e pa buxhet të pavarur. Megjithëse synohej krijimi i ekonomive të shkallës dhe profesionalizimi i shërbimeve, zbatimi i saj solli sfida në mbulimin e zonave rurale, ndërsa bashkitë e reja përqendruan vëmendjen kryesisht në qendrat urbane.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit