

Qeveria greke ka hartuar një plan për ripopullimin e rajoneve malore e të izoluara përgjatë kufirit me Shqipërinë, me qëllim luftimin e shpopullimit përmes një pakete financiare mbështetëse. Projekti parashikon dhënien e një grant-i prej 10,000 eurosh për çdo familje që pranon të zhvendoset në këto zona, me një paradhënie prej 50 për qind të shumës totale. Aplikimet për këtë program do të hapen në muajin tetor.
Fokus kryesor i kësaj nisme janë bashkitë e Sulit dhe Filatit në rajonin e Thesprotisë, si dhe ato të Pogonit e Konicës pranë Janinës — treva të populluara historikisht edhe nga popullsia çame përpara dëbimit pas Luftës së Dytë Botërore. Krahas bonusit financiar, plani përfshin investime të drejtpërdrejta në infrastrukturë publike, si hapjen e kopshteve, shkollave dhe qendrave shëndetësore, për të mundësuar kushte jetese për banorët e rinj.
Programi është i hapur për të gjithë personat që jetojnë dhe punojnë me dokumente të rregullta në Greqi, përfshirë edhe nomadët digjitalë, pas heqjes së kushtit për një parakontratë pune. Përveç brezit kufitar me Shqipërinë, kjo nismë përfshin edhe rajone të tjera kufitare me Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Turqinë, në vijim të modelit të aplikuar më parë në ishullin e Kastellorizos.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






