

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar vendimin për t’u hequr menjëherë aksesin në Shtëpinë e Bardhë rrjeteve mediatike CNN, MS NOW dhe gazetës Politico. Vendimi u bë i ditur përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, ku kreu i shtëpisë presidenciale i akuzoi këto media për përhapje të vazhdueshme të lajmeve të rreme dhe dezinformatave lidhur me administratën e tij.
Në deklaratën e tij, Trump argumentoi se organizatave mediatike nuk duhet t’u lejohet të transmetojnë apo publikojnë pretendime të pavërteta kur mbulojnë punën e presidentit dhe të shtetit amerikan. Krahas kritikave për mbulimin mediatik, ai shnjestroi veçanërisht Politico-n, duke e akuzuar për marrjen e 8 milionë dollarëve nga qeveria gjatë administratës së mëparshme, çka ai e cilësoi si akt korruptiv.
Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende sqarime teknike mbi mënyrën se si do të zbatohet ky kufizim dhe nëse ai përfshin revokimin e plotë të kredencialeve të gazetarëve apo vetëm pjesëmarrjen në ngjarje të caktuara. Ndërkohë, Trump paralajmëroi se lista e mediave të përjashtuara mund të zgjerohet me subjekte të tjera në vijim.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






