

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka deklaruar se brenda grupit parlamentar mazhoritar nuk është zhvilluar ende një diskutim i plotë lidhur me Reformën e Re Territoriale. Në një intervistë televizive, Braçe theksoi se për ndarjen e re të kufijve është informuar përmes medieve, ndërsa kërkoi që procesi të përfshijë përvojën e gjithë trupës së deputetëve dhe jo vetëm të drejtuesve politikë të qarqeve.
Sipas Braçes, debati publik dhe politik po fokusohet gabimisht te shkrirja e njësive vendore, në vend që vëmendja të përqendrohet te decentralizimi i kompetencave dhe menaxhimi i fondeve kombëtare e evropiane. Ai kërkoi që pushteti qendror t’i kalojë më shumë funksione pushtetit vendor, përfshirë menaxhimin e arsimit, ndërsa bashkitë t’i delegojnë ato te njësitë administrative.
Deklaratat kryesore të Erion Braçes:
— “Reforma Territoriale mund të jetë diskutuar në ato takime që kryeministri ka bërë me drejtuesit politikë të qarqeve… Me deputetët jo. Unë e kam marrë vesh ndarjen e kufijve nga media, por ama që të jetë bërë një diskutim i plotë për reformën ende nuk është bërë. Dhe natyrisht kjo është jetike për t’u ndarë me ne.” — Erion Braçe
— “Harta e re territoriale është impostuar gabim e gjitha. Sepse çdo gjë është impostuar ‘do shkrihet kjo, do shkrihet ajo’. Thelbi i gjithë kësaj reforme janë kompetencat… Duhet që qeveria qendrore të lëshojë masivisht pushtet tek pushteti vendor.” — Erion Braçe
— “Qeverisja vendore nuk duhet të përqëndrojë pushtetin tek i pari i atij institucioni që është bashki nesër, akoma dhe më e madhe. Por, duhet ta delegojë tek njësitë administrative dhe deri tek kryeplaku.” — Erion Braçe
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






