

Sherife Luta, gruaja e cila u shndërrua në simbolin e eksodit të popullsisë së Kosovës gjatë luftës, ka reaguar publikisht lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një intervistë për mediat, ajo e cilësoi vendimin si një lajm të rëndë dhe rikujtoi ngjarjet e vitit 1999, kur u detyrua të largohej nga shtëpia në moshën 22-vjeçare me vajzën e saj 6-muajshe në gji.
Luta tregoi kronologjinë e dëbimit me dhunë nga forcat serbe më 8 mars nga fshati Ivaj drejt Kaçanikut. Ajo theksoi rolin e ushtarëve të UÇK-së dhe misionit të OSBE-së në mbrojtjen dhe evakuimin e civilëve gjatë rrugëtimit 24-orësh mes rreziqeve nga forcat policore e ushtarake serbe.
Sipas saj, kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë përcaktues për shpëtimin e popullsisë civile dhe arritjen e lirisë së vendit.
Deklarata e Sherife Lutës:
— “Ndihem shumë keq, një lajm shumë i keq më ka ardhur atë ditë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së. Më 8 mars jemi detyruar me dalë nga shpia me dhunë, se forcat serbe na detyruan me dalë nga shtëpia. Ushtria jonë Çlirimtare na ndihmoi të largohemi dhe na tha që të ikim, sepse do të luftohej me serbët. Ikëm nga fshati Ivaj drejt Kaçanikut dhe aty ishim të rrezikuar, se na ndaluan forcat serbe gjatë rrugës. Me ndihmën e OSBE-së dhe Ushtrisë tonë shpëtuam.” — Sherife Luta
— “UÇK-ja është për mua ushtria që na ka ndihmuar shumë, e ka ndihmuar Kosovën dhe na ka sjellë lirinë. Fotoja më kujton kohën e luftës. Besjana tani e përkujton luftën dhe e di dhe e kupton edhe ajo. Kurrë nuk harrohet kjo deri në momentin e vdekjes.” — Sherife Luta
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






