Transmetuar më 18-09-2026, 18:45

Bashkimi Evropian ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me dënimet e shkallës së parë të dhëna nga Gjykata Speciale ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Christian Wigand, deklaroi se BE-ja e merr shënim aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke theksuar se Dhomat e Specializuara zhvillojnë procedura të drejta, të paanshme dhe mbi bazën e përgjegjësisë individuale penale. Ai kujtoi se të dënuarit kanë të drejtën e apelimit dhe u bëri thirrje gjithë aktorëve në rajon për përmbajtje, mbrojtje të dëshmitarëve dhe shmangie të hakmarrjeve.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerim, Guillaume Mercier, duke iu referuar qëndrimit të Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, nërmendi se vendimet gjyqësore duhet të respektohen. Ai nëvizoi se ky proces ka të bëjë me drejtësinë për viktimat e të gjitha komuniteteve dhe se pajtimi është e vetmja rrugë për të ecur përpara drejt integrimit evropian.

Vendimi i shkallës së parë i shpallur më 16 shtator dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.

Deklaratat zyrtare nga përfaqësuesit e BE-së:

— “Shikoni, ajo që mund të them për këtë çështje është se Bashkimi Evropian merr shënim aktgjykimin e shkallës së parë në çështjen e Prokurorisë së Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dhomat e Specializuara të Kosovës japin drejtësi duke zhvilluar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, të bazuara në parimin e përgjegjësisë individuale penale. Personat e dënuar, natyrisht, kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit… BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë dhe në rajon që të tregojnë përmbajtje.” — Christian Wigand

— “Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Aktgjykimet e tyre duhen të respektohen dhe personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë. Kjo ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Ne u bëjmë thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës.” — Guillaume Mercier

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit