

TIRANË- Ligji që ndryshon mënyrën e përcaktimit të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve u miratua nga Kuvendi gjatë orëve të para të mëngjesit, u dekretua nga presidenti dhe tashmë është botuar në Fletoren Zyrtare, duke hyrë zyrtarisht në fuqi.
Sipas ndryshimeve, paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë do të jetë e barabartë me 0.38-fishin e pagës së Presidentit të Republikës. Indeksimi i kësaj page do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, jo më vonë se çdo dy vjet nga indeksimi paraardhës. Ligji specifikon gjithashtu se çdo ndryshim i pagës referuese bazë do të prodhojë efekte vetëm për gjyqtarët, prokurorët, si dhe anëtarët e kryetarin e Gjykatës Kushtetuese.
Për funksionarët dhe nëpunësit e tjerë publikë, pagat e të cilëve janë të lidhura me atë të gjyqtarit apo prokurorit, do të vazhdojë të përdoret paga referuese bazë e përcaktuar përpara vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese.
Ligji hyn në fuqi menjëherë dhe shtrin efektet financiare që nga 1 prilli 2023, por vetëm përsa u përket pagave të gjyqtarëve, prokurorëve, si dhe anëtarëve e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






