Transmetuar më 18-09-2026, 10:45

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, ka njoftuar se nga janari do të ketë rritje të ndjeshme të pagave, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, përmes programit të ri qeveritar "EURO MODEL".

Sipas planit të prezantuar, paga minimale neto për punonjësit në pozitat që kërkojnë arsim fillor ose më të ulët do të kalojë nga 600 në 1,000 euro. Për të punësuarit me arsim të mesëm, rroga minimale do të rritet nga 600 në 1,250 euro, ndërsa për vendet e punës që kërkojnë arsim të lartë, ajo do të shkojë nga 800 në 1,400 euro.

Spajiç paralajmëroi gjithashtu rritje të ndjeshme edhe për pagat aktualisht mbi nivelin minimal. Ai dha si shembull rastin e një punëdhënësi që sot ndan 1,980 euro për të siguruar një pagë neto prej 1,600 eurosh për punonjësin; nga janari, me të njëjtin kosto për punëdhënësin, ky punonjës do të marrë 1,870 euro. Sipas kryeministrit, kjo shifër mund të kalojë edhe 2,000 euro, nëse partnerët socialë e pranojnë kërkesën përkatëse të qeverisë. Propozimi parasheh që rritja e vlerës llogaritëse të koeficientit të zbatohet në mënyrë të njëjtë në të dy sektorët, publik dhe privat.

Krahas rritjes së pagave, Spajiç njoftoi edhe uljen e barrës tatimore mbi punën, një masë që synon të mbështesë drejtpërdrejt punëdhënësit përballë kostove më të larta.

Sa i takon pensioneve, nga viti 2027 ato pritet të harmonizohen katër herë në vit. Pensioni mesatar në prill do të rritet mbi 600 euro, ndërsa pensioni minimal do të kalojë 500 euro. Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se çdo pensionist do të përfitojë në dhjetor edhe një shtesë prej 100 eurosh për stinën e dimrit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit