

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka thirrur për sot protestë gjithëpopullore në Prishtinë, si reagim ndaj aktgjykimit të shpallur nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Protesta do të nisë në orën 12:00 në sheshin "Skënderbeu", ndërsa organizatorët kanë siguruar se ajo do të jetë paqësore.
Thirrja për protestë erdhi një ditë më parë nga Gazmend Syla i OVL-UÇK-së, i cili bëri të ditur se vendimi për mobilizim ishte marrë pas një takimi të Këshillit Drejtues të organizatës. "Protesta jonë që organizohet nesër është paqësore, jo e dhunshme, pa maska, me fytyrat tona. Kemi çka me tregu boll, fytyrat i kemi të ndershme, s’kemi nevojë fare të vendosim maska në protestë", deklaroi Syla.
OVL-UÇK e kundërshton ashpër aktgjykimin e shpallur ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar atë si të padrejtë. Sipas Sylës, me këtë vendim është tentuar të krijohet një lloj baraspeshe artificiale mes luftës çlirimtare të UÇK-së dhe ngjarjeve të viteve 1998-1999. "Dje u dënua lufta jonë për çlirim dhe u provua të bëhet një balancë mes asaj që ka ndodhur në luftën tonë në vitet ’98-’99. UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale, ishte rezistenca e popullit tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje", tha ai.
Organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar gjithashtu themelimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe të një platforme përmes së cilës synojnë ta kundërshtojnë aktgjykimin deri në përfundimin e plotë të procesit të apelit. Sipas Sylës, kjo nismë synon të bashkojë institucionet e Kosovës, partitë parlamentare, shoqërinë civile, Shqipërinë, komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginën e Preshevës, si dhe diasporën.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






