Transmetuar më 18-09-2026, 07:29

Nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Edi Rama ka bërë një saktësim lidhur me çështjen e arbitrazhit të fituar nga biznesmeni italian Francesco Becchetti ndaj Shqipërisë, duke deklaruar se ai nuk ka marrë dhe nuk do të marrë asnjë para nga buxheti i shtetit.

Rama sqaroi se Shqipëria ka ndjekur rrugën ligjore përmes disa proceseve gjyqësore në vijim, përfshirë edhe një proces penal jashtë vendit ndaj biznesmenit dhe disa prej arbitrave të çështjes. Gjithashtu, kryeministri bëri me dije se fondet e pezulluara të "Albcontrol" do t’i kthehen së shpejti arkës së shtetit.

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama:

— “Meqë më doli emri, një saktësim. Nuk kam thënë nuk e njoh vendimin e arbitrazhit, kam thënë, ai subjekti që e fitoi atë çështje, do marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Pavarësisht se partia juaj tha se ai mori 100 milionë euro, dua t’iu informoj, se ai ka marrë zero lekë nga shteti shqiptar, si shumë të tjerë, që kur kapen mbas Shqipërisë, padrejtësisht, pastaj për një arsye ose tjetër nuk i shkon mbarë jeta, ai sot që flasim, subjekti së bashku me një apo dy nga arbitrat përkatës, do përballen me drejtësinë. Më herët sesa vonë, të gjitha lekët që janë mbajtur padrejtësisht të ngrira, duke ia marrë Albcontrol do i kthehen shtetit shqiptar. Koha kur lloj lloj kriminelësh dhe legenash mund t’i merrnin Shqipërisë çfarë të donin, ka ikur. Ai do marrë zero lekë nga shteti shqiptar, këtë kam thënë unë. Ne kemi ndjekur rrugën ligjore, jemi në disa procese me subjektin në fjalë. Ka edhe proces penal jashtë Republikës së Shqipërisë. Për fatkeqësinë tuaj që keni shpërndarë atë lajm, ai do marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Të gjitha lekët e mbajtura të ngrira, do kthehen në Shqipëri më herët sesa vonë.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit