Transmetuar më 18-09-2026, 07:25

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 84 vota pro të mazhorancës socialiste formulën e re për rregullimin e pagave të magjistratëve, duke parashikuar një rritje të pagës referuese me rreth 8,500 lekë (sa 2% e pagës së Presidentit). Projektligji u miratua mes debatesh të ashpra me opozitën, e cila votoi kundër, ndërsa gjatë momentit të votimit ra në sy mungesa e Sali Berishës.

Vendimi nuk e ka shuar përplasjen mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë. Magjistratët, me mbështetjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë Prokurorial (KLP), kishin kërkuar një rritje rreth nëntë herë më të lartë (afro 80 mijë lekë). Për të zgjidhur ngërçin, Kryeministri Edi Rama njoftoi se ka nisur puna për hartimin e një ligji të ri për ribalancimin e piramidës së pagave, në konsultim me Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian për Eficiencën e Drejtësisë (CEPEJ).

Opozita, përmes kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi votimin si një “puç kushtetues” dhe akuzoi mazhorancën për moszbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese pas kalimit të afatit të 31 korrikut. Kriza u thellua kur Ministria e Financave refuzoi ekzekutimin e listëpagesave të përllogaritura nga KLGJ dhe KLP me pagë referuese prej 222,425 lekësh, me argumentin se caktimi i pagave mbetet kompetencë ekskluzive e Kuvendit.

Deklaratat kryesore nga debati në Kuvend:

— “Këtu është nevoja për të bërë një ligj të ri, për t’i dhënë fund kësaj historie, e cila e ka zanafillën e vet në atë moment kur, në bërjen e reformës, nuk u përcaktua koha se kur piramida do të balancohej. Nuk u tha qartë dhe nuk u tha troç që ju do të merrni këtë tani nga taksat e shqiptarëve, shumë më tepër se gjithë të tjerët, sepse reforma kërkon nga ju që të bëni një sforco, por ama kjo nuk do të jetë një rritje permanente.” — Edi Rama

— “Ne kemi filluar kontaktet me Këshillin e Europës, me atë Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë. Dhe unë i kam pritur të gjithë këta që i kishit ju në komisionin përkatës… Ne nuk mund të shkojmë në një konflikt pushtetesh dhe ne jemi të gatshëm, jo të gatshëm, por jemi tërësisht të angazhuar që të bëjmë një ligj të ri.” — Edi Rama

— “Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund ta ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi. Penalltinë do ta gjuaj unë’.” — Edi Rama

— “Të thuash që në atë datë lindi befas një pushtet tjetër, i cili përcaktoi atë që në fakt mund ta përcaktojë vetëm ligji, dhe nga ana tjetër të shohësh një ndërveprim shoqatash me trupën gjyqësore të Shqipërisë, të shohësh lëvizje të koordinuara, të shohësh këtë organizim është jashtëzakonisht shqetësuese.” — Edi Rama

— “Gjykata Kushtetuese i dha Kuvendit katër muaj kohë që ta zgjidhte çështjen përpara se vendimi i saj për shfuqizimin e ligjit të pagave të hynte në fuqi. Pra, u tregua tërësisht e përgjegjshme, ndryshe nga ty dhe nga ky Kuvend që u tregua tërësisht i papërgjegjshëm.” — Gazment Bardhi

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit