

I dërguari i presidentit Donald Trump për misione të posaçme, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku katër ish-drejtuesit e UÇK-së u dënuan me 81 vite burgim. I ftuar në një intervistë për emisionin "Top Story", Grenell theksoi se Kosova nuk ka nevojë për gjykata ndërkombëtare për të vendosur mbi të ardhmen e saj, duke ngritur shqetësime për ndikime politike në proceset gjyqësore.
Diplomati amerikan nënvizoi se vendimmarrja dhe përballimi i situatave të tilla duhet t’i takojnë institucioneve dhe gjykatave vendase të Kosovës.
Fjala e plotë e Richard Grenell:
— “Kosova dhe gjykatat e Kosovës duhet të vendosin për të ardhmen e Kosovës dhe për çështjet që janë të rëndësishme. Nuk kemi nevojë për një gjykatë në Holandë që të marrë vendime për Kosovën. Ti shikon që jepet një gjykim i tillë dhe ti mendon se është i ndikuar politikisht. Mendoj se SHBA-ja do të bëjë atë që është në interesin më të mirë të SHBA-së dhe Kosova duhet të bëjë të njëjtën gjë, të veprojë në interesin e saj, të veprojë në emër të Kosovës dhe jo të lejojë që një gjykatë ndërkombëtare të vendosë për të, por ta përballojë vetë këtë situatë. Nuk mendoj se SHBA-ja, Trumpi apo këto probleme të jashtme do të kenë të bëjnë me këtë gjë. Mendoj se problemi është që të mos përdoren gjykata që marrin vendime të ndikuara politikisht. Duhet ta vendosë kryeministri dhe Parlamenti se cili do të jetë hapi. Mendoj se gjykatat e Kosovës duhet t’i vendosin vetë këto çështje.”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






