Transmetuar më 17-09-2026, 22:23

Gjatë seancës plenare në Kuvend, Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i ka dalë në mbrojtje projektligjit të mazhorancës për pagat e magjistratëve, duke theksuar se kompetenca për përcaktimin e tyre i takon ekskluzivisht Kuvendit dhe jo vetë institucioneve të drejtësisë apo qeverisë. Gogu pranoi se afati i 31 korrikut për ndërhyrjet ligjore ka përfunduar, ndërsa nënvizoi se skema e re rrit koeficientin e pagës dhe mban në fuqi mekanizmin e indeksimit.

Gjatë fjalës së tij, ai theksoi balancën mes mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe përgjegjshmërisë ndaj buxhetit të shtetit.

Fjala e plotë e ministrit Toni Gogu:

— “Sot Kuvendi i Shqipërisë ka dy detyra, nuk ka një, ka dy detyra. Nga njëra anë duhet të mbrojë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, gjyqësorit, dhe nga ana tjetër duhet të mbrojë çdo qindarkë të qytetarëve shqiptarë, të cilët paguajnë për atë drejtësi. Afatin e 31 korrikut e kemi thënë në komision që ka kaluar. Prandaj kjo shumicë ka ardhur sot të mbushë atë boshllëk që ka krijuar kalimi i atij afati. Nuk ka ardhur ta komentojë, nuk ka ardhur ta anatemojë, nuk ka ardhur ta mallkojë, ka ardhur ta mbushë atë boshllëk. Dhe sot ka një ligj përpara këtij Kuvendi, të paraprirë dhe të udhëhequr nga një pyetje, nga pyetja e duhur: Kush vendos për pagat e gjyqtarëve? Dhe nuk e ka shpikur pyetjen. E ka marrë tamam nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili zbërthen parimin kushtetues dhe shkruan: detyrimi i Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme. Jo i qeverisë, jo i këshillave, jo i ministrit të Drejtësisë, detyrimi i këtij Kuvendi. Paga e gjyqtarit kalon vetëm nga një derë. Paga e magjistratit kalon vetëm nga një derë. Paga e doktorit kalon vetëm nga një derë. Paga e infermierit kalon vetëm nga një derë. Paga e zjarrfikësit kalon vetëm nga një derë. Dhe ajo derë është ligji. Ligji. Ky është parimi që ka ndjekur kjo shumicë sot me atë projekt që ka ardhur dhe rregulli bazë që ka ndërtuar gjithë arkitekturën e pagave në këtë republikë është: askush nuk duhet të ketë diskrecionin t’ia caktojë vetes pagën e vet. Sepse kur dikush i cakton vetes pagën e vet, nuk është më një rregull i përgjithshëm, por është një përjashtim. Buxheti i shtetit nuk është ai dollapi me shumë sirtarë ku secili pushtet apo secili institucion ka sirtarin e vet. Ka vetëm një arkë dhe ajo arkë është e qytetarit shqiptar. Nuk është arka as e ministrave, as e qeverisë, as e gjyqtarëve apo e doktorëve. Është arka e qytetarëve shqiptarë, që e ruan ky Kuvend dhe e ruani ju, të nderuar kolegë.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit