

Kryeministri Edi Rama është paraqitur në seancën plenare të Kuvendit, ku po zhvillohet diskutimi mbi projektligjin e propozuar nga Partia Socialiste për indeksimin e pagave të magjistratëve. Rama mbërriti në parlament menjëherë pas kthimit nga vizita e tij në shtetin monastik të Athosit në Greqi, ku kaloi natën në Manastirin e Vatopedhit së bashku me të birin, Greg Rama.
Projektligji i mazhorancës parashikon një rritje me rreth 8 500 lekë të pagës referuese, formulë kjo që bie në kundërshtim me pretendimet e sistemit të drejtësisë. Magjistratët kërkojnë një rritje rreth 9 herë më të lartë, propozim ky që ka marrë më parë edhe miratimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë Prokurorial (KLP).
Nisma ligjore ka ndeshur në kundërshtimin e prerë të opozitës. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e cilësoi projektligjin si një “puç kushtetues” dhe konfirmoi se deputetët demokratë do të votojnë kundër tij. Opozita kërkoi zyrtarisht tërheqjen e draftit për të zhvilluar konsultime të mëtejshme me institucionet e drejtësisë, mirëpo kjo kërkesë u rrëzua nga mazhoranca me 79 vota kundër.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






