

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur zyrtarisht një hetim lidhur me mosekzekutimin e pagave të magjistratëve për muajin gusht 2026. Në kuadër të këtij procedimi penal, hetuesit kanë ushtruar kontroll dhe kanë sekuestruar dokumentacionin përkatës në ambientet e Ministrisë së Financave.
Hetimi i organit të akuzës nisi pas një kallëzimi penal të depozituar nga vetë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët kërkojnë zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë ligjore për moskalimin e pagave të tyre. Mes personave të faturuar në këtë kallëzim është edhe ministri i Financave, Petrit Malaj.
Sipas kallëzimit të magjistratëve, bllokimi i pagave nuk përbën një rast të izoluar, por prek një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në të gjithë vendin. Përmes këtij hapi ligjor, i kërkohet SPAK-ut të identifikojë zyrtarët përgjegjës që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që solli mosekzekutimin e pagave, si dhe të përcaktojë konsumimim e mundshëm të veprave penale nga veprimet apo mosveprimet e tyre konkrete.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






