Transmetuar më 17-09-2026, 16:51

Gjatë seancës plenare në Kuvend, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka lëshuar akuza të forta ndaj opozitës dhe posaçërisht ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, lidhur me qëndrimet e mbajtura ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Balla deklaroi se megjithëse forcat politike arritën një dakordësi për deklaratën e përbashkët në mbështetje të Kosovës, drejtuesit e opozitës po e shkelin këtë konsensus duke i faturuar përgjegjësi politike mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama.

Në fjalën e tij, Balla u ndal te përfshirja historike e Partisë Demokratike në votimin e rezolutës së vitit 2011 në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila u mbështet mbi raportin e Dick Marty-t. Ai akuzoi drejtpërdrejt Berishën se në dimrin e vitit 2010 ka zhvilluar takime me politikanin rus Konstantin Kosaçev, iniciuesin e këtij raporti, ndërsa rikujtoi edhe deklaratat e mëparshme të kreut të PD-së ku kërkohej që Hashim Thaçi të përballej me drejtësinë në Hagë.

Duke u ndalur te vendimi i shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara, Balla e cilësoi të papranueshme përpjekjen e gjykatës për ta paraqitur strukturën drejtuese të UÇK-së si një "ndërmarrje të përbashkët kriminale". Ai nënvizoi se lufta e UÇK-së lindi si reagim ndaj represionit dhe krimeve shtetërore serbe, ndërsa bëri një krahasim me dënimet e ish-zyrtarëve serbë nga Tribunali i Hagës për të argumentuar se vendimi i fundit ndaj katër ish-komandantëve cenon të vërtetën historike të luftës çlirimtare.

I bashkohem falënderimit të Kryetarit të Kuvendit për dakordësinë që arritëm në deklaratën e sotme, shenjë pjekurie politike dhe përgjegjësie të madhe të grupeve më të mëdha politike të përfaqësuara në Kuvend. Edhe pse, t’ju them të drejtën, e kërkova fjalën tani për të evidentuar diçka që e vlerësoj se e prish mesazhin e kësaj seance. Shoh që lidershipi politik i Partisë Demokratike, të gjithë sekretarët me radhë, marrin fjalën, dalin përtej deklaratës së përbashkët dhe drejtojnë edhe gishtin për fajësi, drejtojnë edhe gishtin për përgjegjësi politike të mazhorancës, të kryeministrit, edhe pse besoj që bien të gjithë dakord që nuk ka një ndër ne, 140 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, që ka luftuar më shumë për pafajësinë e çlirimtërve ai quhet Edi Rama.

Besoj që bien dakord të gjithë për këtë. Dhe në anën e kundërt të historisë, edhe të këtij fakti, nuk ka një person që besoj edhe këtu bien të gjithë dakord që të paktën ndaj Hashim Thaçit ka qenë më agresiv, ka qenë më i dëmshëm, është Sali Berisha. Sepse e dini fare mirë deklaratën e tij publike, se Thaçi duhet të shkojë në Hagë ku duhet të pastrohet. Në vitin 2020. Është deklaratë e kryetarit aktual të Partisë Demokratike dhe të përhershëm të asaj që ka mbetur nga Partia Demokratike. Dhe për ta mbyllur këtë dialektikë, i vetmi në këtë sallë ndër ne, 140, që e ka takuar iniciuesin, shkruesin e raportit mbi të cilët u ngrit kjo gjykatë, rusin Konstantin Kosaçev, në këtë sallë, ai quhet Sali Berisha.

Nuk ka një të dytë ndër ne këtu që ta ketë takuar Konstantin Kosaçevin, të paktën nga faktet publike. Dhe e ka takuar në dimrin e vitit 2010, vetëm pak ditë, 40 ditë nga 25 janar të vitit 2011, kur është votuar rezoluta në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku kjo parti, si gjithmonë në historinë e vet, ka qenë në anën e duhur të historisë, ndërkohë që ju keni votuar në 25 janar 2011 rezolutën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për për rezolutën që ngriti gjykatën në Kosovë. Prandaj, këtu, të ju lutem shumë, këto teatrot, se ju jeni atdhetarët, se ne qenkemi tradhtarët, lëreni për një kohë tjetër.

E kemi ndjekur me shumë shqetësim, po, të gjithë, shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nga ato dhoma të specializuara të Kosovës në Hagë. Prej dje, sot, nesër, e çdo ditë, në vijim edhe të kësaj deklarate të përbashkët, na duhet të mos heshtim përballë gjuhës me të cilën u përshkruan "lufta për liri", "gjaku i dëshmorëve", "roli i komandantëve dhe pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës".

Gjykatësi e deklaroi që në fillim se procesi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së dhe me qëllimin për një Kosovë të pavarur, mirëpo e tradhtoi vetja rrugës, dhe aktgjykimi na ndërtoi një akt rrëfimi tjetër, të gjerë dhe poshtërues, në të cilin kufiri ndërmjet përgjegjësisë individuale dhe karakterit të luftës çlirimtare u bë pothuajse i padukshëm. Kur drejtuesit kryesorë politikë dhe ushtarakë të një lëvizje çlirimtare përshkruhen si pjesë e një qëllimi të përbashkët, një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, kur komunikatat, organizimi politik, strukturat e sigurisë dhe vetë veprimtaria politike e saj u paraqitën si mjete të këtij qëllimi kriminal, atëherë nuk kemi aspak të bëjmë me një gjykim të veprimeve të caktuara të katër komandantëve.

Dhe gjykatësi, në kundërshtim me mandatin e vet gjykues, bëri deklarata politike me qëllimin e qartë të ndryshimit keqdashës të portretit historik të UÇK-së. Dje u munduan të na bëjnë një portret tjetër të UÇK-së që dimë, që njohim, dhe që respektojmë përjetësisht. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk lindi siç tha gjyqtari për pushtet politik dhe as për të ndërtuar një ndërmarrje kriminale. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit shtetëror serb, dëbimeve, burgosjeve, masakrave dhe mohimit të gjatë të lirisë së shqiptarëve të Kosovës.

Kjo është e vërteta historike. Lufta e saj ishte luftë për çlirim, për mbijetesën e një populli të cilit i ishte mbyllur çdo rrugë paqësore drejt lirisë. Krimet e kryera nga forcat shtetërore paramilitare serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, zonja e zotërinj, motra e vëllezër, nuk mund të jenë kurrsesi sfond dekorativ i kësaj historie. Ato ishin arsyeja themelore pse ajo luftë filloi. NATO nuk ndërhyri në Kosovë kundër një populli që po përpiqej të ndërtonte një ndërmarrje kriminale, se me atë vendim i bie që NATO të konsiderohet bashkëpunëtore e një organizate—e një ndërmarrjeje kriminale, paska mbështetur dhe ka vepër penale edhe në legjislacionin e Kosovës, që ta bëjë me faj edhe NATO-n.

Ajo ndërhyri për të ndaluar një katastrofë humanitare, për të mbrojtur një popull të kërcënuar në dëbim e shfarosje. Prandaj është e papranueshme ajo batërdi që dëgjuam e që të cilët duhet ta marrim të plotë, sepse aty përmendet shpesh edhe Shqipëria, dhe nuk duhet përdorur dhimbja e viktimave për të ndërtuar një rrëfim që errëson dallimin historik ndërmjet agresorit shtetëror dhe popullit që luftoi për liri. Prandaj, Dhomat e Specializuara u krijuan me ligjet miratuara në Kosovë, ato ushtrojnë juridiksionin e tyre në emër të rendit juridik të Kosovës. Megjithatë, katër udhëheqësit e UÇK-së janë shpallur dje fajtorë përmes një përshkrimi historik në të cilin, sipas tyre, Kosova nuk e njihte historinë e vet.

Populli i Kosovës e di pse nisi lufta, e di kush e solli dhunën, kush e dogji vendin, kush i dëboi qytetarët nga shtëpitë e tyre dhe kush i mbushi varrezat. Dhe këtu po bëj thjesht e vetëm një krahasim mes katër zyrtarëve, gjashtë zyrtarëve të Serbisë të dënuar nga Haga dhe katër çlirimtarëve të UÇK-së të shpallur në shkallën e parë fajtorë nga Haga. Dhe po i marr me radhë vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e cila ka dënuar gjashtë zyrtarë të lartë serbë jugosllavë për krimet e kryera në Kosovë gjatë vitit 1999.

I pari ishte Slobodan Millosheviç, i cili nuk u dënua, sepse e dënoi Perëndia përpara se ta dënonte gjykata. Por i dyti në radhë ishte zëvendëskryeministri Nikola Shajinoviç, i cili u dënua me vetëm 18 vite burg, edhe pse mbi të, bashkë me të tjerët më poshtë, rëndonin të paktën 12,000 të vrarë, 1,600 të plagosur, 20,000 vajza dhe gra të përdhunuara dhe 500,000 qytetarë të tjerë të shpërngulur. Është dënuar me 18 vite burg.

I dyti, Nebojsha Pavkoviç, komandanti i armadës së tretë jugosllave, që u dënua me 22 vite burg. I treti, Sreten Lukiç, drejtuesi i strukturave të MUP-it serb, me 20 vite. I katërti, Vladimir Lazareviç, komandanti i korpusit të Prishtinës, autor kryesor, vetëm 14 vite. Dhe Hojdaniqi, shefi i shtabit të përgjithshëm, me 15 vjet, dhe Xhorxheviqi, me 18 vjet, ish-zëvendësministri i brendshëm i fokusuar në Kosovë. Mjafton. Mjafton për të kuptuar që ai vendi i djeshëm nuk ka asnjë emër tjetër veçse turp, marre i thonë Kosovë,"tha Balla./

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit