

Tre të rinj janë vënë në pranga nga Policia e Sarandës, pasi akuzohen se kanë plagosur me mjete prerëse dy vëllezër gjatë një konflikti të çastit. Në pranga kanë rënë shtetasit K. A., 22 vjeç, si dhe A. S. e E. B., të dy nga 19 vjeç, të gjithë banues në qytetin e Sarandës.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 22:35, në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar. Sipas policisë, tre të arrestuarit janë konfliktuar për motive të dobëta me vëllezërit M. Sh., 20 vjeç, dhe E. Sh., 25 vjeç. Gjatë përplasjes, dy vëllezërit janë goditur me mjete prerëse dhe ndodhen aktualisht në spital nën kujdesin e mjekëve.
Reagimi i menjëhershëm i shërbimeve të policisë bëri të mundur identifikimin dhe kapjen në kohë rekord të tre autorëve të dyshuar. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Njoftimi:
Sarandë/Plagosën me mjete prerëse dy vëllezër, arrestohen në flagrancë 3 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit:
K. A., 22 vjeç, A. S., 19 vjeç dhe E. B., 19 vjeç, banues në Sarandë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:35, në lagjen nr. 1, Sarandë, janë konfliktuar, dyshohet për motive të dobëta, me dy shtetas (vëllezër).
Gjatë konfliktit, dy vëllezërit, M. Sh., 20 vjeç, dhe E. Sh., 25 vjeç, janë goditur me mjete prerëse dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe, si rezultat i reagimit në kohë, identifikuan, kapën dhe arrestuan autorët e dyshuar të plagosjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






