

Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ka ushtruar kontrolle të imtësishme në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Peqin dhe Fier. Si rezultat i këtij aksioni janë sekuestruar aparate celulare brenda qelive, si dhe është arrestuar në flagrancë një i dënuar e janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 persona të tjerë, mes të cilëve dy efektivë policie.
Në IEVP Peqin, gjatë kontrollit në sendet personale të të burgosurit me iniciale F. Ç., u gjet një telefon celular, çka çoi në arrestimin e tij në flagrancë për mbajtje të sendeve të ndaluara. Në lidhje me këtë rast, u proceduan në gjendje të lirë katër të dënuar të tjerë për moskallëzim krimi, si dhe dy punonjës policie të këtij burgu, shtetasit Sh. K. dhe E. J., të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Ndërkohë, kontrollet kanë vijuar edhe në IEVP Fier, ku në dhomën e të dënuarës R. K. u konstatua po ashtu një aparat celular. Pas veprimeve të para hetimore, AMSEVP nisi procedimin në gjendje të lirë për të dënuarin R. K. për futje të sendeve të ndaluara, si dhe për të dënuarin E. B. për moskallëzim krimi.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorive pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe Fier për veprime të mëtejshme. Përmes një njoftimi zyrtar, AMSEVP i ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave të denoncojnë çdo shkelje apo abuzim detyre nga punonjësit e sistemit të burgjeve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






